MESAPLIKU


MESAPLIKU
✤ Krahinë në rrethin e Vlorës në rrjedhjen e mesme të Shushicës (shih). Nga L dhe P rrethohet me male deri në 2000 m lartësi (Griba, Çipini i Bolenës, Çika, Lungara). Ndahet në dy pjesë; Rrëza (në anën e majtë të luginës, rrëzë vargut Çikë-Lungarë), ku hyjnë fshatrat Vranisht, Tërbaç, Brataj, Lepenicë, Gjorm, dhe (në anën e djathtë të luginës, rrëzë Gribës dhe Çipinit), Shullëri ku hyjnë fshatrat Velçë, Ramicë, Bashaj, Matogjin, Shalës-Mesaplik. Gjatë gërmimeve më 1979 është zbuluar Bazilika e M., monument i periudhës paleokristiane (shek. VI e.r.). Ka përmasat 13.8×11 m. Përbëhet nga tri anijata, prej të cilave ajo qendrore me absidë në trajtë tribrinjëshe. Dyshemeja ka qenë e shtruar me mozaik shumëngjyrësh, prej të cilit shquhet medalioni i anijatës V me portretin e një njeriu. Figura e paraqitur në profil, me flokë të gjatë e të lëshuar prapa deri në qafë, të lidhur me një kordele të kuqe, mban në kokë një kapele në trajtë gjysmësferike, Para fytyrës ka mbishkrimin Aparkeas me shkronja greke, Portreti simbolizonte erën e veriut. Në M. janë zhvilluar ngjarje të rëndësishme historike, sidomos gjatë luftës ANÇ kur kjo krahinë u bë një nga vatrat më të rëndësishme të saj. Në Beun pranë fshatit Velçë në verën e vitit 1920 u mblodh komisioni i kryengritësve shqiptarë që hartoi ultimatumin dërguar Komandës së trupave pushtuese italiane në Vlorë. Në dhjetor 1942-janar 1943 forcat partizane shpartalluan trupat fashiste italiane që u përpoqën të hynin në M. (shih; Lufta e Gjormit). Gjatë Operacionit armik të dimrit 1943-44 dhe të qershorit 1944 në këtë krahinë janë zhvilluar luftime nga më të ashprat kundër pushtuesve gjermanë dhe tradhtarëve të vendit. M. është kthyer pas Çlirimit në një zonë të rëndësishme bujqësore e blegtorale. Përmendet sidomos për rritjen e dhenve dhe të dhive. Në bujqësi dallohet për kultivimin sidomos të drithërave të bukës (grurë, misër) dhe të fasules (e njohur është fasulja e Velçës). Rriten mirë edhe drurët frutorë (hardhia, kumbulla, dardha) etj.

(F. Kr.-D.K.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Mesapliku


[cite]