MONUMENTET E NATYRËS


MONUMENTET E NATYRËS
✤ Objekte të natyrës së gjallë e jo të gjallë me vlera të veçanta estetike. historike dhe shkencore si shpella, kanione shkëmbinj e gurë me trajta jo të zakonshme, zhveshje gjeologjike unikale, katarakte, burime të fuaishme nëntokësore, drurë e kafshë të rralla etj. M. N. mund të jetë edhe një territor i tërë, i cili dallohet për ndërthurje origjinale të kushteve natyrore, për objekte e dukuri natyrore, që nuk vërehen ose vërehen pak në vende të tjera. Territore të tilla shpallen «park kombëtar» dhe «rezervat». Objekte që lidhen me ngjarje të rëndësishme historike janë p.sh. Rrapi i Mashkullorës, Shpella e Dragobisë, Gështenja e Bajram Currit, Guri i Prerëetj. Shqipëria, për shkak të një radhe veçorish në zhvillimin gjeologjik e paleogjeografik, në përbërjen litologjike të territorit, në klimën, hidrografinë, botën biologjike etj. ka M. të N. të shumta. Pas Çlirimit është bërë një punë e organizuar dhe e kujdesshme për nxjerrjen në pah dhe vënien e tyre nën ruajtje. Ato shërbejnë për edukimin ideoestetik të masave, për qëllime shkencore dhe mësimore. M. të N. janë shkëmbi i Këcullës (Gjirokastër), Guri i Përmetit, Guri i Pishkashit ose Sofra e Skënderbeut (Librazhd), Guri i Kamjes (Mokërr), Guri i Capit (Moravë) Shpellat e Velçës (Vlorë), Shpella e Jubanit (Shkodër), Shpella e Piro Goshit (Skrapar), Shpella e Haxhi Alisë (Karaburun), Shkëmbi i Gurit të Zi (Shkodër), «Pylli i Gurtë» — mbetje erozive në trajtë piramidash prej shkëmbinjsh ranorë (Trebinjë-Mokërr), kanioni i Gjipesë në Vuno të Himarës, zhveshja gjeologjike e gëlqerorëve në bregun e Sarandës (unikale për rrudhat e saj), katarakti i Grunasit në Theth, katarakti i Sotirës (Gramsh) unikal për nga forma e daljes, Pisha-Flamur në Qafën e Llogorasë, Rrapi i Libohovës (unikal për nga madhësia), Rrapi i Pojanit, Rrapi i Ndroqit etj. Ndër territoret me natyrë shumë të bukur dhe origjinale janë shpallur «park kombëtars ose «rezervat» ishulli Kune (Lezhë), pylli i Divjakës, ai i Bozdovecit (mali i Moravës-Korçë), Llogoraja (Vlorë), Driloni (Pogradec), Uji i Ftohtë (Tepelenë), Rrushkulli (Durrës), Patoku (Krujë) etj. Evidentimi i objekteve dhe i territoreve që shpallen M. të N. dhe vihen nën ruajtje bëhet nga institucionet shkencore, kurse me ruajtjen e tyre merren organet e pushtetit lokal.

(Me. K.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Monumentet E Natyrës


[cite]