MORALI POPULLOR


MORALI POPULLOR
✤ Tërësia e normave dhe e rregullave morale të përpunuara e të zhvilluara në gjirin e popullit në rrjedhë të shekujve e që kanë gjetur pasqyrim në mendësinë popullore e në marrëdhëniet shoqërore të traditës. Virtyte të M. P. shqiptar, me veçanësi etnopsikologjike të përfshira në doke e zakone janë: besa, burrëria, nderi, krenaria, mikpritja, trimëria, atdhedashuria, lidhjet e bashkarisë, përkrahja e ndihma shoqërore në të keq e në nevojë etj. Disa tipare të M.P. kanë zanafillë të lashtë, janë zhvilluar në kushte të caktuara historike, të lidhura për një periudhë të gjatë me marrëdhëniet patriarkale mesjetare të jetës familjare e krahinore, me të drejtën zakonore. Ishin shprehje e nevojës për të vënë rregull në marrëdhëniet shoqërore, por kanë pasur edhe rol edukues për kohën. Mbështeteshin në forcën e opinionit shoqëror, traditës e zakonil, Vetitë më të mira të M. P. janë ngulitur si tipare të karakterit të shqiptarit, si besa (shih), mikpritja e trimëria e shqiptarit. Me burrërl kuptohej tërësia e këtyre virtyteve, në mendësinë popullore vlerësohej si hurrë i vërtetë njeriu i besës, i fjalës, i nderit, i mençur, trim, bukëdhënës. Trimëria nënkuptonte dashurinë për vendlindjen, krahinën, atdheun. Dalja në luftë quhej një detyrë morale, tërheqja nga thirrja për kushtrim ngjallte përbuzje nga rrethi shoqëror, njeriu veçohej e quhej i zhburrëruar. Normë morale ka qenë zakoni i përkrahjes dhe ndihmës për njeri-tjetrin në raste nevoje të fortë e në fatkeqësi, deri i gjithë fshati ndihmonte materialisht e falas. jEdhe mikpritja në traditën shqiptare ka pasur vend me peshë (shih: Miku). M. P. ka shërbyer edhe si mjet lufte e qëndrese kundër asimilimit nga kulturat e huaja; ka ndihmuar për ruajtjen e forcimin e vetëdijes e të kompaktësisë kombëtare. Cilësitë më të mira të M. P. ruhen e zhvillohen në shoqërinë tonë të re, të integruara në moralin komunist (shih). (M. Ti.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Morali Popullor


[cite]