MORAVA
✤ Mal në L të Korçës me lartësinë më të madhe 2042 m (maja e Badaroshit), me gjatësi 30 km e gjerësi 10 km. Shtrihet midis fushës së Devollit në L, fushës së Korçës në P, grykës së Cangonjit në V dhe Qafës së Kazanit në J, e cila e ndan nga Gramozi. Lartësitë mbizotëruese janë 1000-1500 m, me disa maja më të larta si Maja e Lartë (1878 m), Guri i Capit (1573 m) etj. Është e ndërtuar nga shkëmbinj deltinorë, ranorë e konglomeratikë të molasës që shtrihen mbi shkëmbinjtë magmatikë ultrabazikë. Pjesa veriore ka dy kurrize që ndahen nga disa zgjerime, ndërsa pjesa jugore ka karakterin e një malësie, me forma të relievit akullnajor. Nga M. burojnë disa përrrenj që derdhen në Devoll dhe Osum. Bimësia në shpatin P është e varfër, vitet e fundit janë bërë pyllëzime të shumta. Në shpatin L bimësia është më e zhvilluar (ah, pishë, bredh). Ndër kafshët e egra takohet rrallë ariu, derri i egër, kaprolli. Në M. janë ngritur qendra pushimi turistike dhe të ushtrimit të sporteve dimërore (Dardhë, Bozdovec). Në rrëzën P të Moravës ndodhet vendburimi i qymyrgurit i Mborje-Drenovës, dhe në rrëzën L, në Ziçisht, vendburimi i rërave për prodhimin e qelqit.
(P.Q.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Morava
[cite]