MOSI HILË


MOSI HILË
✤ (1885-1933). Poet e publicist patriot dhe demokrat. Mësimet e para 1 bëri në vendlindje, në Shkodër, kurse studimet e mesme në Austri. Ishte pjesëmarrës i Kongresit të Manastirit dhe anëtar veprimtar i Komitetit të Kryengritjes së Malësisë së Veriut (1909-1912), ku luftoi edhe me armë në dorë, ngriti shoqëri patriotike e klube, drejtoi disa organe, si «Shqipëtari» (Stamboll, 1909-1910), «Shqypnija e re» (Shkodër, 1913-1914), «Agimi» (Shkodër, 1919) etj., duke u dalluar me veprimtarinë propagandistike në të mirë të çështjes kombëtare e përparimit të vendit. Gjatë kohës kur drejtonte dikasterin e arsimit në fund të viteve 20, H. M. u përpoq për laicizmin e shkollës, duke vijuar kështu luftën e tij të hershme kundër klerit katolik. Shkrimet dhe vjershat e tij të para u bënë të njohura që më 1910 me pseudonimet Zog Sokoli, Liriasi etj. Ka botuar disa përmbledhje me poezi ndër të cilat Zani i atdheut (1913), Lotët e dashtunisë (1915) janë veprat kryesore. Për nga fryma e përgjithshme H. M. i qëndron afër F. Shirokës, me tone romantiko-elegjiake. Në lirikat i këndoi mallit për atdhe dhe luftës së armatosur të shqiptarëve për çlirim. Në krijimet në të cilat grishi për bashkim dhe luftë të vendosur kundër të huajit, zëri i poetit kumboi plot patos («Jashtë!», «Kënga e shoqërisë «Vëllazëria». «Mashkullori* etj.). Një pjesë e tyre u vunë në muzikë dhe u kënduan si himne dhe marshe luftarake. Lirika e dashurisë e H. M. përbëhet nga këngë dhe balada romantike, ku, përbri gëzimit, lumturisë dhe optimizimt, vërehet edhe përmallimi, dhembja e dëshpërimi. Mjaft prej këtyre lirikave hynë në repertorin e këngëve popullore sidomos shkodrane. M. njihet edhe si përshtatës i disa veprave dramatike, si «Cubat» e Shilerit, «Shërbëtori i dy zotnive», «Dy shërbëtorët» të K. Goldonit, «Filja» e Kërnerit; përshtati këngë për fëmijë nga kompozitorë klasikë.

(Gj.Zh.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Mosi Hilë


[cite]