MUSARAJ SHEFQET


MUSARAJ SHEFQET
✤ Poet, prozator dhe publicist, Hero i Punës Socialiste, deputet në disa legjislatura. Lindi në Vajzë të Vlorës më 1914 në një familje fshatare të mesme. Pasi mbaroi Shkollën Tregtare të -qytetit, e nxori jetesën si nëpunës i vogël. Hapat e para në letërsi i bëri në mesin e viteve 30 (vjersha shoqërore e patriotike, poema «Bujku i Hanko Hallës»). Etapë të rëndësishme në jetën dhe krijimtarinë e Sh. M. shënoi Lufta ANÇ, në radhët e së cilës mori pjesë gjallërisht, si verimtar partie, redaktor për disa kohë i revistës «Kushtrimi i lirisë», bashkëpunëtor i gazetës «Zëri i Popullit» dhe i organeve të tjera ilegale. Botoi skica, artikuj dhe vjersha. «Epopeja e Ballit Kombëtar», «Dje dhe sot» dhe «Shteg më shteg me partizanët e Divizionit I Sulmues» të botuara më 1944, zënë vend të shënuar në letërsinë e Luftës ANÇ. Pas Çlirimit Sh. M. zhvilloi një punë të gjerë për forcimin e letërsisë së re; si sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe kryeredaktor i revistës «Literatura jonë». Në këtë kohë shkroi reportazhe, skica dhe poemën satirike «Do bëhen zgjedhjet» (1948). Në vitet 60-70 u bë i njohur si novelist: «Llaz Qesarati» (1959), «Isha unë Çobo Rrapushi» (1960), «Unë, Mato Labi, konservator?» (1975) etj. Proza e Sh. M. shquhet nga problematika e mprehtë, dramatizmi i konflikteve, rrëfimi i natyrshëm, përdorimi i gjerë i gjuhës së popullit, me anë të së cilës autori krijoi figura piktoreske. Vepra më e rëndësishme e tij është dilogjia «Para agimit» (1965, 1966), ku jepet një tablo e gjerë epike e jetës shqiptare në fund të viteve 30 dhe gjatë Luftës ANÇ. Kjo ka përcaktuar edhe subjektin me shumë rrafshe të veprës. Vendin kryesor në të e zë populli, zgjimi e pajisja e tij me vetëdije politike, hedhja në luftë për çlirimin kombëtar e shoqëror. Lidhur me këtë vëmendje të madhe autori u ka kushtuar komunistëve, veprimtarisë së gjerë që zhvillojnë ata. Në roman demaskohen nacionalistët borgjezë dhe forcat e tjera reaksionare politike gjatë zgjerimit e rritjes së pandërprerë të qendresës kundër pushtuesve nazifashistë. Luftës partizane i kushtohet romani «Belxhiku që këndon vënçe» (1979). Laureat i Çmimit të Republikës 1960 dhe 1965. (Ko. B.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Musaraj Shefqet


[cite]