MUSHMOLLA
✤ (Mespilus L.). Në Shqipëri kultivohen dy lloje M.: M.verore (M.japonica L.) dhe M. dimërore, M.verore është dru frutor i vogël përherë i blertë që rritet i lartë 3-7 m me kurorë ombrellore, me degë eilindrike me push, me gjethe të qëndrueshme, të gjata 20-30 cm, anash me dhëmbë, me deje të dukshme^ të lëkurta, të ashpra e të shkëlqyeshme përsipër, me push të kuqërremtë, me lule të bardha në të verdhë, me erë të këndshme, të vendosura në melth. Lulëzon në shtator-shkurt, bën fryt të rrumbullakët ose vezak në ngjyrë të verdhë. Tuli i M. verore është i shijshëm aromatik, majhosh, piqet në prill-maj. Rritet kryesisht në Vlorë e Sarandë. Shumëzohet me shartim mbi vetveten ose mbi ftua, dhe me farë. Fruti i M verore përdoret për t’u ngrënë, gjethet përmbajnë tanin dhe shërbejnë për të përgatitur çajra kundër diareve. Druja e saj përdoret për të përgatitur vegla muzikore, orendi dhe sende zbukurimi. M. dimërore (M. germanica L.). Shkurre ose dru frutor i vogël e me shumë degë me push, me gjethe të këmbyera, të zgjatura, 6-12 cm, me majë, me lule të bardha të veçuara deri 5 cm të mëdha. Lulëzon në prill ose maj. Bën fryt një kokërr me ngjyrë të gjelbër deri në kafe të ndryshkut që piqet në tetor ose nëntor, ka veti rrudhëse, kur squllet është i shijshëm. M. dimërore ndeshet si e egër dhe e kultivuar në Vlorë, Elbasan e Tiranë. Rritet në çfarëdo toke dhe pëlqen klimë të ngrohtë. Shumëzohet kryesisht duke e shartuar mbi gorricë, ftua ose me farë. Druja e M. e fortë, me ngjyrë gështenjë me rremba të kuqe, lustrohet mirë, por shtrembërohet prandaj përdoret vetëm për sende të vogla.
(R.O.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Mushmolla
[cite]