ORMAN ÇIFLIGU


ORMAN ÇIFLIGU
✤ Fshat në rrethin e Korçës (VP). Bën pjesë në fshatin e bashkuar të Dishnicës (shih). Gjatë luftës për pavarësi këtu janë strehuar çetat e Themistokli Gërmenjit, Spiro Bellkamenit e Qamil Panaritit. Më 29.7.1911, në luftën kundër pushtuesve osmanë, këtu ranë «6 dëshmorët e Orman Çifligut». Banorët kanë marrë pjesë në Luftën ANÇ. Këshilli NÇ u ngrit në tetor 1942, njësiti gueril u krijua që në shkurt 1942. Kreu së bashku me fshatarët aksionin e hapjes së depove të drithit. Fshati u dogj dhe u plaçkit dy herë nga pushtuesit dhe më 29.11.1943 nazistët gjermanë masakruan egërsisht 65 veta. Në shtëpinë e Marigo Visit ndodhej teknika e Partisë. Fshati u çlirua në tetor 1944. Kolektivizimi i bujqësisë u bë në shtator 1956. O. Ç. bën pjesë në KTL të Dishnicës. Drejtimi kryesor i ekonomisë është prodhimi i grurit, panxharsheqerit dhe rritja e lopëve. Fshati ka shkollë të ciklit të ulët, shtëpi-muze, vatër kulture, qendër shëndetësore, njësi tregtare e komunale.

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Orman Çifligu


[cite]