OTORINOLARINGOLOGJIA


OTORINOLARINGOLOGJIA
✤ (ORL). Degë e mjekësisë që studion sëmundjet e veshëve, të hundës e të grykës si dhe mënyrat e mjekimit të tyre. U shkëput si disiplinë nga mesi i shek. XIX me zbulimin e metodave endoskopike të ekzaminimit me anën e pasqyrës ballore dhe burimit të dritës. Shërbimi i parë i ORL në Shqipëri u krijua në Tiranë më 1932, në fillim si shërbim ambulator e më vonë edhe spitalor me pak shtretër të shpërndarë. Pas Çlirimit u ngrit një repart i veçantë i pajisur me sallë operacioni në spitalin e Tiranës, më 1956 reparti u shndërrua në bazë klinike të Institutit të Lartë Mjekësor; Sot janë ngritur reparte ORL në të gjitha rrethet me shërbim spitalor dhe ambulator. Pranë klinikës në Tiranë është ngritur kabineti i audiometrisë, i bronkoezofagoskopisë, i vestibulometrisë me elektronistagmografi dhe në disa rrethe kryesore ka kabinete të audiometrisë. Është zgjeruar gama e ndërhyrjeve. kirurgjikale, si laringoktomia e plotë (1960) dhe e pjesshme (1965) në rastet e kancerit të laringut, është zhvilluar mikrokirurgjia e veshit (1975) si stapedoktomia, timpaniplastika, dekompresioni i nervit facial, si dhe laringoskopia dhe rinoplastika. Janë bërë studime mbi veprimin e dëmshëm të zhurmave në organin e dëgjimit në disa qendra industriale, mbi tonsilitet kronike, është organizuar kontrolli i nxënësve të shkollave fillore për gjendjen e dëgjimit të tyre etj. Ndihmesë në zhvillimin e O. kanë dhënë me veprimtarinë e tyre Besim Zyma, Spase Trimçev, Anesti Boçka, Emil Qirko etj.

(S. Tr.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Otorinolaringologjia


[cite]