PAKTET ITALO-SHQIPTARE TË TIRANËS


PAKTET ITALO-SHQIPTARE TË TIRANËS
✤ Pakte politike e ushtarake që nënshkruan Qeveria e Zogut dhe ajo italiane dhe që sanksionuan nënshtrimin politik e ushtarak të Shqipërisë ndaj Italisë fashiste. Hapi i parë drejt nënshkrimit të pakteve ishte marrëveshja e fshehtë ushtarake për «ndihmë» dhe «bashkëpunim» në mes të qeverisë së Zogut dhe qeverisë italiane e lidhur në gusht të vitit 1925. Me anë të presioneve politike dhe ekonomike-financiare si dhe duke shfrytëzuar Kryengritjen e Dukagjinit të nëntorit 1926, që u nxit edhe nga qarqet jugosllave, Italia arriti t’i diktonte qeverisë së Zogut, më 27 nëntor 1926, paktin e «miqësisë e të sigurimit» me afat për 5 vjet. Në nenin e parë të tij thuhej se «çdo cenim i status-kuosë politike, juridike e territoriale të Shqipërisë është në kundërshtim me interesat politike të dy palëve». A. Zogu siguronte me këtë pozitën e vet personale, ndërsa Shqipëria vihej në fakt nën protektoratin italian. Në shkurt të vitit 1927 pakti u regjistrua në Lidhjen e Kombeve. Kjo shpuri në acarimin e marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave dhe italo-jugosllave, në të cilat rol të rëndësishëm luante Franca, si mhështetëse e Jugosllavisë. Acarimi i mëtejshëm i marrëdhënieve në Evropë dhe veçanërisht në Ballkan çoi në nënshkrimin e paktit të miqësisë franko-jugosllave të 11 nëntorit 1927. Në përgjige të kësaj aleance u nënshkrua në Tiranë pakti italo-shqiptar i «aleancës mbrojtëse», që kishte një afat për 20 vjet. Ky pakt plotësonte të parin dhe hapte më gjerë rrugën e ndërhyrjes ushtarake të Italisë në Shqipëri që do të përfundonte me agresionin fashist të 7 prillit 1939.

(M. Be.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Paktet Italo-Shqiptare Të Tiranës


[cite]