PALEONTOLOGJIA
✤ Shkenca që studion kafshët dhe bimët e lashta, që kanë jetuar gjatë epokave të kaluara gjeologjike e janë ruajtur në trajtë fosilesh. Është shkencë biologjike, por e lidhur ngushtë me gjeologjinë. Përbëhet nga paleozoologjia dhe paleobotanika (shih). Nga të dhënat e P. nxirren përfundime për paleogjeografinë e një treve dhe për kushtet e formimit të shkëmbinjve dhe të mineraleve të dobishme sedimentare.
Në Shqipëri studime të mirëfillta paleontologjike filluan të kryhen në vitet 50, kur u ngrit edhe sektori i parë për to në Laboratorin qendror të gjeologjisë. Sot nga sektorët e P. pranë instituteve kërkimore të gjeologjisë dhe katedrat e profilit gjeologjik studiohen foraminiferet, tintinidet, konodontet, amonitet, gastropodët, bivalvorët, graptolitet etj. Me anën e foraminifereve e sidomos të atyre planktonike janë arritur suksese për ndarjen e imtë biostratigrafike të shtresnajave naftë-gazmbajtëse. Arritje ka edhe në studimin e grupeve të tjera të organizmave të fosilizuara me anën e të cilave është arritur të bëhen ndarje të imëta biostratigrafike në depozitimet mesozoike të Albanideve. Vitet e fundit ka filluar të kryhet edhe studimi i fosileve paleozoike të Albanideve. Ndër studiuesit e sotëm në fushën e P. përmenden Pandeli Pashko, Anastas Kondo, Selam Meço etj.
(S.Me.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Paleontologjia