PANJA
✤ (Acer L.). Dru i familjes së panjave (Aceraceae) që në Shqipëri takonet me 9 specie, ndër të cilat më e përhapura është P. e malit (Acer pseudoplatanus L.) e lartë 30-40 m dhe e trashë në diametër 1-2 m, me kurorë të parregullt, trung të drejtë me lëvore ngjyrë hiri, me sythë të kundrejtë me gjethe të mëdha, të trasha e të pajisura me mëlluga ngjyrë ulliri, pëllëmbore, me 5 vriguj vezakë me dhëmbë si të sharrës, të ndritshme sipër të blerta poshtë, me lule në vile të blerta në të verdhë, dyseksore, që dalin njëkohësisht me gjethet. Bën fryt aken të fryrë, të pajisur me 2 flatra, që piqet në shtator. P. është dru mjaft i përhapur në Evropë dhe Azi, në Shqipëri ndeshet kudo në zonën e ahut e më pak në atë të dushkut deri në lartësinë 600-1800 m. P. pëlqen klimë malore të butë dhe toka të freskëta të pasura ose edhe gëlqerore. Shumëzohet me farë. Druja e P. e bardhë e fildishtë dhe homogjene merr lustër të mirë dhe prandaj përdoret për rimeso e mobilie, për vegia muzikore, në ind. e makinave etj.

(Ll.T.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Panja


[cite]