PAPARISTO KOLË


PAPARISTO KOLË
✤ (1914-1980). Biolog e botanist i shquar, anëtar i Akademisë së Shkencave, Mësues i Popullit. Lindi në Elbasan, studimet e larta i kreu në Francë. Anëtar i PKSH (1943), mori pjesë në Luftën ANÇ. Anëtar i KANÇ qysh nga Kongresi i Përmetit. Pas Çlirimit ishte kryetar i Institutit të Shkencave, zëvendësrektor i UT, deputet i Kuvendit Popullor në disa legjislatura. Qysh nga viti 1946 zhvilloi veprimtari të vazhdueshme në arsim të lartë. Ishte një nga organizatorët e parë të Muzeut të Shkencave të Natyrës (1948), i Katedrës së botanikës (1957), dhe i Kopshtit Botanik (1965) pranë UT si dhe i Qendrës së Kërkimeve Biologjike (1978) pranë Akademisë së Shkencave. K.P. drejtoi dhe organizoi botanizimin sistematik të të gjithë territorit të Shqipërisë dhe mori pjesë në ngritjen e herbarit kombëtar.

Ndërmori në krye të një grupi bashkëpunëtorësh hartimin e veprës Flora e RPS të Shqipërisë. Ka zbuluar një varg speciesh endemike, të cilat kanë hyrë në literaturën botanike botërore me emrin e tij. Ndër studimet e botimet me interes për ekonominë janë ato për pllenimin e kryqëzuar me anë të bletës, për efektin e oligoelementeve mbi shtimin e prodhimit bujqësor, për futjen në kulturë të disa përzierjeve foragjere gramore shumëvjeçare, për bimët mjaltore etj. Vepra të tij janë: «Flora e Tiranës dhe ikonografia e saj» (1965), «Botanika sistematike e bimëve të larta» (1972).

(Ko.P.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Paparisto Kolë


[cite]