PECI SOTIR


PECI SOTIR
✤ (1873-1932). Veprimtar i Rilindjes kombëtare shqiptare, një nga figurat e shquara të arsimit kombëtar, Mësues i Popullit. Botoi në Boston (SHBA) gazetën «Kombi» (1906-1908); një nga përfaqësueset e lëvizjes patriotike dhe demokratike shqiptare në dhjetëvjeçarin e parë të shek. XX. S.P. së bashku me Petro Nini Luarasin dhe Fan Nolin luajtën rol për formimin e shoqërisë «Besa-Besën» më 1907 në Boston dhe të «Lidhjes» në St. Lui etj. Më 1908 mori pjesë në Kongresin e Manastirit dhe me hapjen e Shkollës normale në Elbasan u emërua mësues i matematikës dhe i shkencave të natyrës. Më 1911-1912 drejtoi mësonjëtoren shqipe të Korçës. Më 1915 u zgjodh anëtar i Komitetit të fshehtë që u krijua në Shkodër me degë në qytetet kryesore të vendit për të luftuar synimet e fuqive të mëdha dhe të shovinistëve fqinjë për copëtimin e Shqipërisë dhe heqjn e pavarësisë së saj. Më 1916-1917 ishte anëtar i Komisisë letrare në Shkodër. Mori pjesë si delegat në mbledhjen e Kongresit Kombëtar në Lushnje (1920) dhe në qeverinë që u formua prej tij u zgjodh ministër i arsimit. Me fitoren e Revolucionit të Qershorit 1924 u zgjodh anëtar i Këshillit të Lartë. Pas dështimit të këtij revolucioni mërgoi jashtë vendit. S. P. dha ndihmesë për problemet e arsimit nëpërmjet shtypit si publicist, nëpërmjet botimesh si autor tekstesh shkollore, me pjesëmarrjen e tij në Kongreset e Arsimit më 1920 dhe 1922, me futjen e eksperimenteve në mësimet e shkencave të natyrës etj.

(K.X.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Peci Sotir


[cite]