PEJA
✤ Qytet, qendër e komunës me të njëjtin emër aë KSA të Kosovës (shih). P. ndodhet në VP të Rrafshit të Dukagjinit, rrëzë Bjeshkëve të Namuna, në rrjedhën e poshtme të Bistricës së Pejës. Lindja dhe zhvillimi i P. si qendër qytetare lidhet me pozitën e volitshme gjeografike në kryqëzimin e rrugëve të rëndësishme që kalojnë nëpër luginat e lumenjve Drini i Bardhë, Ibër, etj. Sipas regjistrimit të viti 1981 komuna kishte 111067 banorë, prej të cilëve 79793 (72%) ishin shqiptarë.
Gjetjet arkeologjike tregojnë se territori ku shtrihet sot qyteti ka qenë i populluar që në kohët e lashta. Mendohet se P. është vazhdim i qytetit antik Siparantum të Dardanisë (shih) (shek. II e.r.). Në shek. III-IV bëhet një nga qytetet kryesore të Dardanisë, pas Ulpianës. Si qendër me këtë emër. P. përmendet nga fundi i shek. XIII. Me pushtimin e saj nga serbët u vendos këtu selia e Patrikanës serbe (shek. XIV), e cila u likuidua më 1766. Në shek. XVII qyteti rritet më tej, sidomos me zhvillimin e tregtisë e të zejtarisë dhe bëhet qendër e Sanxhakut të Dukagjinit. Në shek. XIX P. me rreth 7 000 banorë dhe 320 dyqane ishte një nga qendrat më të rëndësishme të tregut të brendshëm shqiptar.
Gjatë periudhës së sundimit osman P. me rrethet e saj ishin vatra të qëndresës kundërosmane të popullsisë shqiptare. Popullsia e P. u bashkua me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Këtu u mbajt me nismën e H. Zekës (shih) kuvendi historik që formoi Lidhjen Shqiptare të Pejës (1899) (shih). Popullsia e saj mori pjesë në kryengritjen e përgjithshme antiosmane të vitit 1912.
Pas aneksimit nga Mali i Zi (1913) e më pas nga Jugosllavia, ndaj popullsisë autoktone shqiptare të P. u zbatua politika sllavomadhe e shpronësimit, shpërnguljes me dhunë. Në qytetin e P. dhe në rrethet e tij u vendosën sllavë të ardhur kryesisht nga Mali i Zi. Numri i kolonëve sllavë të vendosur rnidis viteve 1918-1941 ishte ndër më të mëdhenjtë në Kosovë.
Në vitet e pushtimit fashist P. u përfshi në zonën e okupuar nga fashistët italianë. Më 1941 prefektura me qendër në qytetin e P. (me 28 000 banorë) kishte 26 komuna dhe rreth 130 000 banorë. P. u bë një nga qendrat e rëndësishme në luftën kundër pushtuesit. Shqiptarët e P. hynë në radhët e çetave partizane, të cilat u formuan në Kosovë, dhe në përbërje të Brigadës së 8 kosovare, luftuan për çlirimin e trojeve të veta dhe të popujve të tjerë të Jugosllavisë. Qyteti u çlirua më 17 nëntor 1944 nga Brigada III e UNÇSH dhe Brigada I Kosovare. Objektet më të rëndësishme industriale janë kombinati i lëkurës dhe i këpucëve, fabrikat e sheqerit e të mermerit, repartet për prodhimin e pjesëve të makinave, që janë shtojca të ndërmarrjeve kryesore që ndodhen në viset e tjera të Jugosllavisë. Ekonomia e saj nuk është në^ gjendje të sigurojë zënien në punë të banorëve të saj. Në komunë ka mbi 9000 të papunë Jë regjistruar. Një numër i madh banorësh janë të detyruar të emigrojnë në vende të ndryshme. Qyteti i P. është qendër ekonomike, arsimore dhe shëndetësore e krahinave përreth të Podgoricës, Rugovës, Bjeshkëve të Namuna, e më tej të Plavës, Rozhajës (në Mal të Zi). Në P. funksionon Shkolla e Lartë Ekonomike-Tregtare.
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Peja