PERIMET
✤ Bimë barishtore një, dy ose shumëvjeçare, të cilat shërbejnë si ushqim për njeriun, në gjendje të freskët, të gatuara ose të përpunuara për t’u ruajtur gjatë. Në kushtet klimatike të Shqipërisë rriten e përdoren mbi 35 specie perimesh. Ndër më të rëndësishmet janë: domatja, speci, patëllxhani. bamja, lakra, qepa, preshi, hudhra, spinaqi, sallata, barbunja, bizelja, karota, patatja, kastraveci etj. P. përmbajnë veçanërisht vitamina, acide organike e fitoncide dhe kripëra minerale në sasi të madhe ahe në formë lehtësisht të përvetësueshme. Nevojat e njeriut për P. plotësohen duke ngrënë rreth 120-130 kg në vit. Sot në vend përdoren rreth 3-4 herë më shumë perime në krahasim me v. 1938. P. janë lëndë e parë themelore për ind. ushqimore. Ato zënë një peshë të madhe në eksportet e vendit. Në Shqipëri P. janë kultivuar prej kohësh (shih: Perimtaria). Sot rritja e P. bëhet nga ekonomitë e mëdha bujqësore, disa prej të cilave janë specializuar për P. Është arritur që të krijohet konvejeri i gjelbër për të dhënë P. të freskëta në të gjitha periudhat e vitit. Perimoret janë ndër sektorët më intensivë të bujqësisë; në tokat e tyre merren dy, tri e më shumë prodhime nga e njëjta ngastër brenda vitit bujqësor, duke mbjellë, në mënyrë të kombinuar perime me vegjetacion të shkurtër e të gjatë, ngrohtësidashëse e të qëndrueshme. Perimoret ngrihen mbi bazën e kritereve të caktuara shkencore dhe organizative, në tokat më të mira, në afërsi të rrjetit rrugor. Perimoret e caktuara për eksport, janë përqendruar kryesisht në zonën e ngrohtë dhe lm ka burime energjetike për serrat. Në zona të thella, si dhe në ato kodrinore-malore, prodhohen më tepër P. që durojnë transport të gjatë. Në 1983, në krahasim me v. 1938 sipërfaqja e mbjellë me perime e bostan ishte rritur rreth 7 herë, ndërsa prodhimi i tyre afro 12 herë. (A.Ok.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Perimet


[cite]