POSTRRIBA


POSTRRIBA
✤ Rrethinë etnografike që përfshin fshatrat rrëzë maleve Maranaj e Cukal, në të dy anët e l. Kir, duke shkuar në V deri afër Sheut të Rrjollit. Si qendër është fshati Drisht me kalanë e tij historike dhe bëjnë pjesë fshatrat Mes, Mysalim, Ura e Shtrenjtë, Domën, Vorfë, Dragoç, Golem etj. Në të kaluarën baza ekonomike e postrribasve ka qenë blegtoria e kufizuar, merreshin edhe me kopshtari dhe rritjen e duhanit. Organizimi e marrëdhëniet shoqërore rregulloheshin sipas kanunit tradicional të Malësisë. Veshja e burrit ishte një urë ndërlidhëse në mes të veshjes së qytetit të Shkodrës e të Malësisë, ndërsa veshja e gruas ka tipare të veçanta: gruaja postrribase përdorte një gunë të gjatë (dallamë) prej shajaku të bardhë dhe këmishën e gjatë përbrenda, kurse në punë një paranik e prapanik prej pëlhure, me nga dy fletë të vendosura vertikalisht. Mbi kokë vendoste një rizë si Zadrima, por me lidhje të ndryshme. Zona e P. ka qenë një bazë e rëndësishme gjatë Luftës ANÇ dhe malësorët kanë marrëpjesë në të gjallërisht. Pas Çlirimit P. ka marrë një zhvillim të madh ekonomik e shoqëror. Ka përparime të ndjeshme në mënyrën e jetesës. Burimet ekonomike janë shtuar. Është zgjeruar shumë sipërfaqja e mbjellë me kulturën e duhanit.

(Rr.Z.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Postrriba


[cite]