PRAPAVIJA E UNÇSH


PRAPAVIJA E UNÇSH
✤ Shërbim i UNÇSH i paracaktuar për sigurimin e nevojave materiale e shëndetësore për jetesë dhe për luftë të partizanëve. U krijua që në fillim të kryengritjes së armatosur si kusht i domosdoshëm për zhvillimin e saj. Përfshinte intendencën dhe shërbimin shëndetësor që vareshin nga komandat përkatëse. Struktura dhe detyrat e prapavijës të UNÇSH u miratuan me rregulloren e SHP (17.8.1943). Ajo u përsos sipas fazave të zhvillimit të UNÇSH. Pranë SHP të UNÇSH (shih) u organizua komisariati (ekonomik) dhe seksioni i shëndetësisë, ndërsa në shtator 1944 u organizua drejtoria ekonomike dhe dega e shëndetësisë. Me organizimin e pushtetit ushtarak të prapavijave (shih) çdo komandë qarku e vendi ngriti intendencën dhe shërbimin shëndetësor me depo, punëtori e spitale të vendosura në zonat e çliruara, ndërsa pranë krahinave ushtarake të korparmatave u organizua seksioni i ekonotnisë, i transportit dhe i shëndetësisë (me depot, spitalet, ofiçinat, punëtoritë dhe nënrepartet e transportit). Intendenca e pushtetit ushtarak të prapavijave kishte për detyrë që në bashkëveprim me këshillat NÇ, t’u plotësonte partizanëve nevojat materiale në armë e municione, ushqim e veshmbathje. Si burim kryesor për furnizimin e partizanëve me armë e municione ishte armiku, kurse furnizimi i tyre me ushqim e veshmbathje sigurohej kryesisht nga ndihmat e popullsisë së qytetit e sidomos të fshatit dhe pjesërisht nga materialet që i kapeshin armikut.

(J.Da.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Prapavija E Unçsh


[cite]