PROKURORIA


PROKURORIA
✤ Organ i Kuvendit Popullor, që ka për detyrë të kontrollojë zbatimin e përpiktë dhe të njëllojtë të ligjeve nga ministritë dhe organet e tjera qendrore e lokale, nga gjykatat, organet e hetimit, ndërmarrjet, institucionet, organizatat, nëpunësit dhe shtetasit (neni 104 i Kushtetutës së RPSSH). P. përbëhet nga Prokuroria e Përgjithshme (shih) dhe prokuroritë e rretheve. Në përmbushjen e detyrave të saj ndihmohet nga prokurorët popullorë, që zgjidhen me vota të hapura në çdo lagje, institucion, ndërmarrje e repart ushtarak. P. është organ rreptësisht i centralizuar. Udhëhiqet nga Prokurori i Përgjithshëm, i cili përgjigjet dhe jep llogari në Kuvendin Popullor e ndërmjet sesioneve në Presidiumin e Kuvendit Popullor. P. është institucion unik, që funksionon mbi parimin e nënshtrimit të prokurorit më të ulët ndaj prokurorit më të lartë, i cili ka të drejtë të ushtrojë të gjitha atributet e prokurorit më të ulët dhe të pezullojë e shfuqizojë çdo veprim të parregullt e të kundërligjshëm të tij. Organet e P. janë të pavarura nga organet lokale të pushtetit e të administratës shtetërore dhe varen vetëm nga Prokurori i Përgjithshëm. Por ato zbatojnë vijën e masave, bashkërendojnë veprimtarinë e tyre me atë të organeve të tjera shtetërore dhe nën udhëheqjen e organizatave e të komiteteve të partisë kombinojnë kontrollin e tyre me atë punëtor e fshatar.

(G.Gj.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Prokuroria


[cite]