PUHITË
✤ Erëra periodike që ndërrojnë drejtim dy herë gjatë 24 orëshit si rrjedhim i kontrastit termik midis ujit e tokës. Puhia detare është lëvizje ajri nga deti në tokë, për shkak të ngrohjes më të shpejtë të sipërfaqes së tokës, gjatë orëve të para të mëngjesit. Ndodh përgjithësisht në bregdet me reliev të sheshtë. Ndihet pothuajse në gjithë bregdetin tonë, por është më e theksuar në bregdetin Adriatik, sidomos gjatë muajve të verës. Ka raste që vrojtohet edhe në muaj të tjerë të vitit. Fillon në orët e vona të paradites dhe vazhdon deri në orën 16-18. Ka drejtim VP dhe shpejtësi zakonisht nga 2-4 m/sek, por mund të arrijë deri 5-6 m/sek. Mund të depërtojë 30-40 km në brendi të territorit duke sjellë me vete ajër të freskët e me lagështirë.
Puhia tokësore është lëvizje ajri me drejtim nga toka në det për shkak të ftohjes më të shpejtë të sipërfaqes së tokës. Pas ndërprerjes së puhisë detare vendoset një periudhë qetësie relative, e cila në varësi nga kushtet e përgjithshme të motit, mund të zgjasë disa orë (3-5 orë). Pas kësaj në orët e vona të mbrëmjes fillon P. t., e cila në bregdetin tonë është më pak e theksuar se ajo detare dhe i ngjan më tepër një flladi të freskët, sesa një ere të vërtetë.
(A.Mi.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Puhitë
[cite]