AMFITEATRI I DURRËSIT
✤ Amfiteatri më i madh e më i rëndësishëm i ndërtuar në fillim të shek. I të e.r. në Ballkan, me vlera të veçanta arkitekturore dhe artistike, i vetmi i gjetur në Shqipëri. Gërmimet sistematike për zbulimin e tij filluan më 1966 dhe deri më tani është hapur pothuaj gjysma. Është ngritur afër qendrës së qytetit me shkallaren nga P të mbështetur në shpatin e kodrës, ndërsa ana tjetër lartësohet në truall të rrafshët. Ka trajtë elipsi me diametër 136 m dhe lartësi rreth 20 m. Shkallarja për shikuesit e veshur me pllaka të bardha merrte 15-20.000 veta, ndërsa në arenë zhvilloheshin luftimet e gladiatorëve. Për kalimin në vendet e ndejtjes shërbente një sistem galerish dhe shkallësh të mbuluara me qemere. A. i D. është ndërtuar me njohuri të plota teknike. Kjo dhe numri i madh i vendeve dëshmon për lulëzimin e Durrësit në shekujt e parë të e.r. Mund të krahasohet me monumentet e kësaj periudhe të Pompeit e të Kapuas në Itali. Në shek.IV, me ndryshimet ekonomike-shoqërore në jetën e qytetit për shkaqe historike, amfiteatri nuk shërbeu më si vend shfaqjesh dhe u la pas dore. Në shek. X në një nga gaieritë e tij u ndërtua një kapelë e vogël me muret të veshura me mozaikë (shih Mozaiku i Kapelës së Durrësit).
(A.B.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Amfiteatri I Durrësit
[cite]