QELQI
✤ Lëndë e njëtrajtshme, amorfe, izotrope, në një masë të caktuar e tejdukshme, me vetitë mekanike të trupave të ngurtë të zakonshëm, por shumë e thyeshme. Q. mund të jetë natyror (qelqi vullkanik, shih) dhe artificial( qelq silikat, fosfat etj.). Përbërësi kryesor i Q. është silica. Ind. e qelqit (shih) përdor si lëndë të para rërë kuarcore, feldspat, gëlqeror, dolomit, karbonat natriumi dhe kaliumi, boraks, nitrat dhe sulfat natriumi, si dhe okside të natriumit, kaliumit, magneziumit, plumbit etj. Në varësi të sasisë dhe llojit të këtyre oksideve dallohen: Q. për xham dritaresh, për ambalazhe, për artikuj shtëpiakë, si dhe Q. speciale (Q. optik, Q. për aparatura, Q. kristal etj.) Për prodhimin e Q. bëhet përgatitja e lëndëve të para, shkrirja, formimi dhe përpunimi termik, mekanik, kimik dhe artistik i tyre. Q. shkrihet në 1400-1600°C në furra banjë me veprim të pandërprerë. Për Q. speciale përdoren furra me veprim të ndërprerë. Formësimi i sendeve prej Q. bëhet me fryrje, presim, tërheqje, petëzim dhe derdhje. Në fabrikat e Q. në Tiranë e Korçë, në Fabrikën e Qelqit dhe të xhamit në Kavajë dhe në ‘ Fabrikën e Llambave elektrike në Vlorë prodhimi i artikujve bëhet me fryrje (gota, kavanoza, poça llambe etj.), me presim (pllaka qelqi etj.), me fryrje-fryrje (shishe), me tërheqje (tuba qelqi e xham dritaresh).

(Dh. Bezh.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Qelqi


[cite]