RRETHI I PUKES


RRETHI I PUKES
✤ Shtrihet në Shqipërinë V, në Krahinën Malore Qendrore (VP), në malësinë Pukë-Mirditë. Sipërfaqja 1034 km2. Popullsia 46100 Përfshin 2 qytete — Puka, qendër e rrethit dhe Fushë-Arësi, si dhe 73 fshatra të grupuara në 19 fshatra të bashkuara. Dendësia mesatare 44.6 banorë/km2, popullsia në qytet 11,3% në fshat 88.7%. Rritja natyrore 2,55%.

Mbizotëron relievi malor e kodrinor. Zona më e lartë: Munella, Krabi, maja e Malit (1668 m) dhe Bjeshkët e Tërbunit. Luginat kryesore: e Fanit të Madh, e Berishës, Gomsiqes, Goskës së Madhe, Srriqes e Gominës. Klima është mesdhetare, kodrinore e malore. Temp. mesatare vjetore 10.3°, mesatarja e muajve më të ftohtë -0.3° dhe më të ngrohtë 20.30°. Temp. absolute më e ulët -23.8°C. më e larta 39.6°C. Sasia mesatare vjetore e reshjeve 2023 mm, pjesa më e madhe në stinën e vjeshtës e të dimrit. Erërat lokale karakteristike: murrlani e shiroku. Pasuritë minerale: bakri (Kabash, Qafë Bari, Laku i Roshit. Tuç, Porav etj.), kaolini (Lëvrushk), qelqi vullkanik (Laku i Roshit.) Tokat bujqësore janë kryesisht të kafenjta malore. Pyjet dhe shkurret zënë 72.1% të sipërfaqes së përgjithshme. Burimet nëntokësore kryesore gurra e Tërbunit dhe e Mushtës. Rr. i P. është rreth industrial-bujqësor i zhvilluar. Industria zë 70.2% të prodhimit të përgjithshëm industrial e bujqësor, është zhvilluar thuajse tërësisht gjatë viteve të pushtetit popullor. Para Çlirimit kishte vetëm disa punishte të lëndës së drurit. Më 1983 prodhimi industrial ishte 16.9 herë më i madh kundrejt v. 1950 dhe 21 herë kundrejt v. 1960. Dega kryesore është ind. e bakrit që jep 35.6% të prodhimit industrial të rrethit. Mandej vijnë, ind. e përpunimit të drurit 31.9%, ind ushqimore 27.4%, ind. mekanike e ind. e materialeve të ndërtimit.

Bujqësia jep 29.8% të prodhimit të përgjiththëm industrial e bujqësor. Ka 19 koop. të bashkuara, 1 NB. Kolektivizimi i bujqësisë filloi më 1957, përfundoi më 1967. Sipërfaqja e punueshme zë 5.1% të gjithë rrethit, nga e cila 86.6% e zënë bimët e arave, 11.2% frutikultura dhe 2.2% vreshtat. Para Çlirimit ujiteshin vetëm 600 ha, sot ujiten 71% e tokës së punueshme. Ka 2 ujëmbajtës me aftësi ujitëse 470 ha në Kukaj, Iballë dhe 2 kanale të mëdhënj, i Gjegjanit dhe Korthpulës. Janë të mekanizuara 76.5% e plugimeve dhe 32.7% e korrjeve. Kulturat kryesore: misri (46.3% të sipërfaqes), gruri (18%), patatja. Në blegtori mbizotërojnë të imëtat (dhia), rritet edhe gjedhi. Rrugët kryesore: Pukë-Tiranë, Pukë-Shkodër, Pukë-Kukës, Pukë-B.Curri. Në Rr. e P. përfshihen pjesë nga zonat etnografike: Iballja, Kabashi, Spaçi, Dibri etj. Rrethi ka tradita për punimin e qeramikës (Gojan), drurit, të vegla-ve muzikore popullore, të shajakut, të veshjeve, peshëves etj. Burrat mbanin veshje me tirq e xhamadan, gunë e tallagan, kurse gratë pështjellak, xhubletën e Berishës, në kokë mbanin mbulesa të leshta kupolë e rubë me thekë. Vallet janë kryesisht të tipit dyshe, të shoqëruara me daulle e çifteli, karakteristike janë vallet humoristike të shoqëruara me këngë. Tipi i banesës: kullë me jerevi ose gjysmëkat dhe jerevi nae dy hyrje. Para Çlirimit në Rr. e P. kishte vetëm 7 shkolla fillore. Sot ka 8 shkolla të mesme, 44 shkolla 8-vjeçare, 47 shkolla të ciklit të ulët, 66 kopshte, 60 çerdhe. Janë ngritur 21 muze, 57 kënde muzeale, 21 biblioteka, 6 librari. Zhvillojnë veprimtari 21 shtëpi kulture, 57 vatra kulture, 2 kinema, 97 grupe artistike, ansambli «Puka», dega e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Para Çlirimit shërbimi mjekësor pothuajse mungonte fare. Sot ka 5 spitale, 19 reparte e shtëpi lindjeje, 76 ambulanea, konsultore, 14 klinika e kabinete dentare, 5 farmaci e 16 agjenci farmaceutike, 2 laboratorë klinikë e 1 bakteriologjik.

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Rrethi I Pukes


[cite]