QENDRA KULTURORE MUZEALE NË GJIROKASTËR


QENDRA KULTURORE MUZEALE NË GJIROKASTËR
✤ Grup ndërtesash me vlera historike në kodrën qendrore të Gjirokastrës, të kthyera në muze sipas idesë së dhënë nga shoku Enver Hoxha. Përfshin mësonjëtoren «Liria», që u hap më 1908 dhe punoi deri më 1913; përmban dokumente dhe sende që pasqyrojnë përpjekjet për shkollën kombëtare. Ndërtesat e tjera pasqyrojnë veprimtarinë e shoqërive atdhetare e demokratike: Klubi «Drita» (1908), grupi i parë teatral (1909), Shoqëria «Vëllazëria» (1919), e cila krijoi grupe artistike dhe u ngrit kundër synimeve të imperialistëve italianë, «Klubi i Opingarëve» (1920-1924) me veprimtari demokratike, klubi i Shoqërisë «Studenti» (7.7.1924) që vendosi lidhje me shoqëritë punëtore dhe u bë qendër e një lëvizjeje të gjerë politike e kulturore drejtuar kundër regjimit antipopullor. Sekretar i Shoqërisë «Studenti» ka qenë shoku Enver Hoxha.

Në Qendër më 24.5.1977 u ngrit Obelisku kushtuar pionierëve të arsimit, të shkollës dhe të gjuhës shqipe. Obelisku prej guri të bardhë ka trajtën e një flete dhe ka të gdhendura këto fjalë: «Pionierëve të gjuhës shqipe, që në vitet e errëta të robërisë mbajtën gjallë dashurinë për liri, arsim, kulturë».

(Xh. Ll.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Qendra Kulturore Muzeale Në Gjirokastër


[cite]