QENDRA SIZMOLOGJIKE


QENDRA SIZMOLOGJIKE
✤ Institucion kërkimor-shkencor i Akademisë së Shkencave që organizon dhe kryen studime në fushën e sizmotektonikës, sizmologjisë-inxhinierike dhe inxhinierisë së tërmeteve. Është themeluar më 1972 mbi bazën e Stacionit Sizmologjik të Tiranës pranë U. T. Ky stacion, i pari në .vend u ngrit më 1968 dhe nga ajo kohë filloi regjistrimi e studimi sistematik i tërmeteve në vendin tonë.

Q. S. ka tre sektorë: i studimeve të sizmicitetit të Shqipërisë, i studimeve mikrosizmike dhe i inxhinierisë së tërmeteve.

Q. S. ka në varësi rrjetin sizmologjik, që përbëhet nga 13 stacione. Stacioni qendror i Tiranës është i pajisur me shumë lloje sizmografësh, ndërsa stacionet e tjera janë në Korçë, Leskovik, Sarandë, Tepelenë, Berat, Vlorë, Shkodër, Pukë, Bajram Curri, Kam (Tropojë), Kukës e Peshkopi.

Vepra më të rëndësishme kolektive të botuara nga Q. S. janë Rajonizimi sizmik i RPSSH (shih) Katalogu i tërmeteve të Shqipërisë (1975, ripunuar më 1982), «Tërmeti i 15 prillit 1979» (1983). Q. S. boton periodikisht Buletinin Sizmologjik (shih).

Q. S. merr pjesë në disa projekte ndërkombëtare në kuadrin e UNESCO-s për studimin e sizmicitetit të Ballkanit e të Evropës. Është anëtare e Komisionit Sizmologjik Evropian; bashkëpunon me institucione të gjeologjisë dhe të ndërtimit etj. në vend dhe mban lidhje me shumë institucione sizmologjike të botës.

(E. Su.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Qendra Sizmologjike


[cite]