QENDRAT HIDROTERMALE


QENDRAT HIDROTERMALE
✤ (Llixhat). Vende me burime ujërash minerale që shfrytëzohen për mjekim. Vetitë fiziko-kimike të ujërave minerale, prania e kripërave dhe e gazrave të tretura në to, bëjnë që të kenë një fushë të gjerë veprimi. Përdoren për t’i pirë ose për banja. Për të pirë përdoren ujërat hipotonike dhe izotonike, ndërsa për banja ujërat hipertonike.

Në Shqipëri përdoret uji i Glinës (shih) me veprim te të sëmurët me gurë në veshka, fshikëzën e urinës e tëmth, në infeksionet e fshikëzës së urinës, në çrregullime të tretjes etj. Ujërat minerale hipertonike që përdoren për banja, përmbajnë gaz sulfuror (SQ2), gaz karbonik (C02) ose radon.

Q. H. shfrytëzohen nga mjekësia për mjekimin e poliartriteve reumatizmale, artriteve metabolike, artriteve jo specifike, disa sëmundjeve të sistemit nervor periferik, disa sëmundjeve gjinekologjike, të lëkurës, të stomakut etj. Shqipëria është e pasur me ujëra të tilla, kryesisht me përmbajtje gazi sulfuror. Janë të përmendura llixhat e Elbasanit, të Peshkopisë, të Leskovikut, të Bilajt në Krujë e të Bënjës në Përmet. Para Çlirimit kishte dy ndërtesa të vogla, një në llixhën e Peshkopisë e një në të Elbasanit, me pak vaska. Sot këto qendra janë zgjeruar, janë pajisur me mjetet e duhura, kanë mjek e personel të mesëm mjekësor, të specializuar dhe funksionojnë gjatë ’gjithë vitit. Janë ngritur ndërtesa të reja për të sëmurët, numri i vaskave është shtuar disa herë. Veç ujit tani shfrytëzohet edhe balta e këtyre burimeve.

(J.Vr.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Qendrat Hidrotermale


[cite]