QEVERIA E PËRKOHSHME E VLORËS


QEVERIA E PËRKOHSHME E VLORËS
✤ (4 dhjetor 1912-22 janar 1914). E para qeveri kombëtare që u formua pas Shpalljes së Pavarësisë. Krijimi i saj u vendos nga Kuvendi Kombëtar i Vlorës (shih) që në mbledhjen e tij të parë më 28 nëntor 1912. Në seancën e tij të 5-të më 4 dhjetor 1912, Kuvendi me kërkesë të Ismail Qemalit (shih) e caktoi vetë përbërjen e qeverisë. I. Qemali, veç detyrës së kryetarit të qeverisë, mbajti edhe atë të ministrit të Jashtëm ad interim (përkohësisht). Anëtarë të Qeverisë u zgjodhën: Dom Nikollë Kaçorri nënkryetar, Myfit bej Libohova për Punët e Brendshme, Abdi bej Toptani për Financat, Mehmet pashë Deralla për Luftën (për mbrojtjen), Petro Poga për Drejtësinë, Luigj Gurakuqi për Arsimin, Mit-hat Frashëri për Punët Botore, Pandeli Cale për Bujqësinë dhe Lef Nosi për Postë-telegraf. Përbërja e qeverisë ishte heterogjene. Krahas elementit të shëndoshë atdhetar kishte edhe përfaqësues të rretheve çifligaro-borgjeze, përçues të ndikimeve të huaja. Kuvendi zgjodhi po ashtu Pleqësinë që duhej të kryente funksionet e një organi këshillues e mbikëqyrës të qeverisë. Me këto masa Kuvendi i Vlorës hodhi themelet e organizimit të Shtetit të ri Shqiptar duke u mbështetur në forcat kombëtare. Ndonëse në kushte jashtëzakonisht të vështira të vazhdimit të Luftës I Ballkanike (shih), shumë prej krahinave u bashkuan me Q. e P. të V. duke e njohur atë si qeveri të gjithë Shqipërisë. Nga pikëpamja e shtrirjes efektive të pushtetit të saj ajo veproi në fillim në një zonë të ngushtë, kryesisht në trekëndëshin Vlorë-Berat-Lushnjë. Luftoi për bashkimin rreth saj të krahinave të çliruara nga pushtimi serb. Prej pranverës 1913 filloi të shtrijë autoritetin e vet në Shqipërinë e Mesme e në një pjesë të mirë të Shqipërisë Veriore. Q. e P. e V. arriti rezultate të rëndësishme në krijimin e aparatit shtetëror. U ngritën disa njësi të forcave të rendit publik (xhandarmëria) dhe u morën disa masa organizative paraprake për të mëkëmbur një ushtri kombëtare. U vunë gurët e parë për krijimin e një sistemi gjyqësor sipas modeleve evropiane. Gjuha shqipe u shpall si gjuhë zyrtare dhe u vendos hapja e shkollave shqipe prej vjeshtës 1913.

Akti më i rëndësishëm juridik që nxori Q. e P. e V. ka qenë «Kanuni i përtashëm i administratës civile të Shqipërisë» që u botua në nëntor 1913. Ky akt përmbante një rregullim mjaft të hollësishëm të përbërjes dhe kompetencave të hallkave kryesore të administratës lokale në Shtetin e ri. Por ai nuk kishte vlerën e një kushtetute në kuptimin e plotë, përderisa linte pa prekur probleme të tilla themelore si forma e qeverisjes (monarki apo republikë), organet më të larta të pushtetit, kompetencat, raportet midis tyre. Kjo shpjegohet me ndërhyrjen e Fuqive të Mëdha në organizimin e brendshëm të Shtetit të ri. Në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (shih) këto shpallën qëllimin e tyre për ta marrë vetë në dorë organizimin e Shqipërisë. Këtë e bënë me anën e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit (shih), të cilit iu ngarkua detyra e përpunimit të një projekti të hollësishëm të degëve kryesore të administratës shtetërore. Q. e P. e V. u ndesh në veprimet separatiste të Esat pashë Toptanit (shih) në Shqipërinë e Mesme. Ajo nuk qe në gjendje të përballonte presionet e vazhdueshme të Fuqive të Mëdha. Në këtë drejtim ndikuan negativisht edhe kufizimet politike klasore të qarqeve patriotike të kohës. Këto kufizime gjenin shprehje në mbivlerësimin e kombinacioneve diplomatike dhe në pavendosmërinë për ta bërë organizimin e shtetit të ri një vepër jo thjesht të një elite kombëtare, por edhe të masave të gjera popullore. Në përgjithësi I. Qemali «neglizhoi forcimin e pushtetit brenda» dhe i dha «rëndësi më të madhe politikës së jashtme* (Enver Hoxha, Vepra, vëll. 23, f. 154). Q. e P. e V. zhvilloi një veprimtari të gjerë diplomatike për mbrojtjen e të drejtave të kombit shqiptar në arenën ndërkombëtare, si pranë Fuqive të Mëdha, ashtu dhe pranë shteteve fqinje. Vetë I. Qemali (i shoqëruar nga L. Gurakuqi e I. Boletini) bëri një udhëtim nëpër kryeqytetet e Fuqive të Mëdha të Evropës (prill-maj 1913), dhe u ndal veçanërisht në Londër, ku pati takime me personalitete të ndryshme, burra shteti e diplomatë. Konsekuente në qëndrimin e tyre të mosbesimit ndaj elementit kombëtar, Fuqitë e Mëdha nuk e njohën Qeverinë e Vlorës dhe kjo ra në një izolim të plotë. Në janar 1914 Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit e implikoi atë në të ashtuquajturin komplot të Beqir Grebenesë gjë që eoi në dorëheqjen e detyruar të I. Qemalit më 22 janar 1914. Pushteti kaloi në duart e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit.

Bilanci i veprimtarisë së Qeverisë së Vlorës si brenda vendi-t ashtu edhe në plan ndërkombëtar ka qenë i kufizuar. Megjithatë ajo ka qenë e vetmja qeveri kombëtare e dalë nga vetë gjiri i lëvizjes së Pavarësisë. Ajo mishëronte idealin kombëtar shqiptar dhe me veprimtarinë e saj konkrete, tregoi se Shteti i ri Shqiptar i ngritur mbi themele kombëtare do të kishte dalë nga stadi embrional po të mos ishin faktorët pengues të politikës së Fuqive të Mëdha. (A. Pu.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Qeveria E Përkohshme E Vlorës


[cite]