REGJIMI I KURSIMIT


REGJIMI I KURSIMIT
✤ Metodë e drejtimit me plan dhe llogari të ekonomisë socialiste që ka për qëllim arritjen e rezultateve ekonomiko-shoqërore sa më të mëdha me harxhime sa më të vogla të punës së gjallë e të materializuar; tërësi masash ekonomike, organizative e teknike që sigurojnë vënien në jetë të kërkesave të ligjit të kursimit dhe të parimit të mbështetjes në forcat e veta.

Drejtimet për forcimin e R. të K. në socializëm janë të shumta. Ato kanë të bëjnë me përdorimin me kursim të elementeve të prodhimit material, me përdorimin me leverdi të akumulimit socialist, me pakësimin e vazhdueshëm të shpenzimeve joprodhuese etj. Forcimi i R. të K. ka lidhje me njohjen dhe përdorimin e rezervave të brendshme, me përgjithësimin e zbatimin e përvojës së përparuar si rezerva më e madhe që gjendet në gjirin e ekonomisë socialiste. Në shoqërinë socialiste punonjësit janë objektivisht të interesuar për të kursyer sa më shumë, vazhdimisht, në çdo gjë dhe kudo, sepse kjo përputhet plotësisht me interesat shoqërore e vetjake të punonjësve. R. i K. zbatohet në luftë kundër njollave e ndikimeve të shoqërisë së vjetër e të ideologjisë borgjezo-revizioniste në administrimin e ekonomisë. Kundër këtyre shfaqjeve e qëndrimeve shoqëria socialiste zhvillon një luftë klasore nën udhëheqjen e partisë marksiste-leniniste. (P. Bo.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Regjimi I Kursimit


[cite]