REGJISURA
✤ Drejtimi dhe konceptimi tërësor ideoestetik i të gjitha komponenteve të një shfaqjeje për të dhënë sa më të plotë dhe me forcë shprehëse artistike përmbajtjen e një vepre që vihet në skenë. Në të kaluarën në teatrin amator, mungonte regjia në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Këtë detyrë e ushtronin aktorët më me përvojë e më tëkulturuar.
Në etapën e parë të zhvillimit të teatrit profesionist pas Çlirimit (1945-1960) R. kapërceu traditën e teatrit amator, të pamësuar me një regji me kërkesa profesionale. E vijuan punën e tyre si regjisorë edhe ata që nuk e kishin marrë përgatitjen e posaçme profesionale. Me punën e regjisorëve si Sokrat Mio, Pandi Stillu, Andrea Malo, duke e vënë R. mbi baza profesionale ajo hyri në rrugën realiste dhe u ngrit niveli artistik. Me regjinë e tyre u hodhën edhe hapat e para në formimin e karakterit kombëtar të R.
Në vitet 60-70 R. pati një hop cilësor ideor dhe artistik. Regjisorë tashmë të përgatitur, me kulturë profesionale e ideoestetike ndihmuan për forcimin dhe pasurimin e realizmit socialist në këtë fushë. Rol të veçantë luajtën vendimet e Plenumit IV të KQ të PPSH (qershor 1973-. që i çeli horizonte të reja R. sonë të re, në luftë me ndikimet formaliste e moderniste në këtë fushë. Që në shfaqjet e etapës së parë të teatrit tonë si «Toka jonë», «Karnavalet e Korçës» «Lulja e kujtimit», «Për mbrojtjen e atdheut» Familja e peshkatarit», «Nora» kishte arritje, me një frymë të partishme realiste, me karakter kombëtar e popullor në skenë. Kjo traditë u zhvillua më tej me shfaqjet si «Këneta», «Gjenerali i ushtrisë së vdekur», «Besa e madhe», «Furrnalta», «Komunistët», «Epoka para gjyqit», sArturo Ui» etj. me regji të Piro Manit, «Këneta», «Plaku i maleve», «Njeriu me top», «Shtëpia e kukullës» me regji të Esat Oktrovës, etj., të cilat shquhen për një nivel të lartë ideoestetik e artistik. R. ka veçantinë e saj në shfaqjet e estradës. Në këtë fushë ka dhënë ndihmesë Gjergj Vlashi, me punën në estradën e Durrësit, të Tiranës, të Shkodrës. Në rrugën e metodës së realizmit socialist, me krijimin e individualiteteve të shquara artistike dhe të një larmie stilesh janë hedhur kështu bazat e një shkolle kombëtare të R.
(K. V.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Regjisura