REVOLUCIONI DEMOKRATIK BORGJEZ I QERSHORIT 1924
✤ Revolucioni i parë në Shqipëri që synoi të zhdukte sundimin politik të bejlerëve çifligarë, të mënjanonte mbeturinat e feudalizmit, t’i hapte rrugën zhvillimit të shpejtë të kapitalizmit dhe të forconte pavarësinë e vendit.
Ishte kurorëzimi me sukses i lëvizjeve popullore e demokratike të viteve 1921-1924. Me fitoren e kryengritjes së armatosur më 10 qershor u përmbys qeveria e reaksionit çifligar ku një rol kryesor luante Ahmet Zogu dhe erdhi në fuqi më 16 qershor qeveria demokratike me Fan S. Nolin në krye. Programi prej 20 pikash i qeverisë së re parashikonte çrrënjosjen e feudalizmit me anën e zbatimit të një reforme agrare, vendosjen e demokracisë, reforma demokratike në administratën shtetërore, dënimin me gjyq të elementëve kryesorë reaksionarë, ndryshimin e sistemit fiskal në favor të popullit, pavarësinë e organeve gjyqësore, barazimin e bilancit shtetëror të buxhetit, zhvillimin e arsimit e të shëndetësisë etj. Programi gjeti miratimin e masave popullore dhe të organizatave demokratike e në mënyrë të veçantë të Shoqërisë «Bashkimi». (shih). Në frymën e programijt qeveria konfiskoi pronat e çifligarëve e të funksionarëve të arratisur, dënoi me gjyq disa krerë të reaksionit, siguroi liritë e të drejtat demokratike, tregoi kujdes për zhvillimin e ekonomisë, arsimit e të kulturës. Këto masa megjithatë nuk e prekën në thellësi rendin çifligar borgjez as ekonomikisht dhe as politikisht. E prirur nga pajtimi me çifligarët dhe e pazonja ta shpinte Revolucionin deri në fund, qeveria veproi me butësi ndaj reaksionit, kurse popullin e çarmatosi. Masat popullore me anën e demonstratave dhe organizatat patriotike me anën e shtypit kërkuan nga qeveria zbatimin e plotë të programit, por nuk mundën të ushtronin ndikim të ndjeshëm sepse vetë nuk ishin të organizuara në shkallën e duhur.
R. D. B. i Q. u zhvillua në rrethana ndërkombëtare jo të favorshme, kur lëvizjet revolucionare në Evropë e në Ballkan ishin në rënie dhe kur reaksioni imperialist ishte hedhur në sulm. Megjithatë qeveria demokratike ndoqi një politikë të jashtme që synonte të mbronte e të forconte pavarësinë e vendit e tërësinë territoriale të tij dhe shpalli kursin e fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit me të gjitha vendet. Ajo nuk nënshkroi pakte politike e koncesione ekonomike që cenonin pavarësinë e sovranitetin kombëtar.
Qeveria e kryesuar nga F. S. Noli nuk u njoh nga shtetet imperialiste dhe ato ballkanike për arsye të kursit të saj demokratik e antiimperiaiist. Ajo vendosi lidhje diplomatike vetëm me Bashkimin Sovjetik. Në këto vite Shqipëria u shndërrua në një vatër me rëndësi e lëvizjes revolucionare në Ballkan. Për të gjitha këto arsye fuqitë imperialiste dhe monarkitë fqinje ballkanike thurën intriga kundër Shqipërisë demokratike dhe i shpallën asaj luftë të egër. Ato, e sidomos qeveria jugosllave e Pashiçit, në bashkëpunim me reaksionin vendas, organizuan ndërhyrjen e armatosur. Pasi thyen qëndresën e forcave demokratike shqiptare, intervencionistët hynë më 24 dhjetor në Tiranë, përmbysën qeverinë e F. S. Nolit dhe vendosën në pushtet qeverinë e reaksionit çifligaro-borgjez me Ahmet Zogun në krye.
(M. Be.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Revolucioni Demokratik Borgjez I Qershorit 1924