REZERVATET E GJUETISË


REZERVATET E GJUETISË
✤ Territore me pyje, livadhe, ujëra etj. ku rriten në mënyrë natyrore lloje të ndryshme kafshësh, shpendësh e peshqish si dhe bimësh me vlera ekonomike e shkencore dhe që mbrohen me ligj. Në R. e Gj. ndalohet kryerja e punimeve që prishin gjendjen natyrore dhe që dëmtojnë pasuritë natyrore të vëna në mbrojtje. Në to merren masa për shtimin e gjahut.

Sot në Shqipëri ka 22 R. të Gj. që ndahennë dy kategori. Në R. e Gj. të kategorisë A popullimi me gjah bëhet në mënyrë të organizuar e të planifikuar. Për të gjuajtur në to merret miratim nga Ministria e Bujqësisë. Të tilla janë Velipoja (Shkodër) ku ka fazan, rosa dhe pata të egra: Rrushkulli (Durrës) me fazan; Maliqi (Korçë) me fazan e kaproll; Pishë-Poro (Fier, Vlorë) me fazan e pata të egra etj. Në R. e Gj. të kategorisë B bëhet shtimi dhe shfrytëzimi racional i gjahut sipas ligjeve të caktuara. Për të gjuajtur në to lejet jepen nga ndërmarrjet pyjore të rrethit përkatës. Të tilla janë: QafëmollaDerja e Bërzana (Tiranë) me derr të egër; pylli i Kodhelit (Lezhë) me shapkë e lepur; Kutërmani (Librazhd) me derr të egër; Mengël-Griqan-Fierzë-Qafa e Busenit me derr të egër; Velidon-Therepeli (Skrapar) me kaproll e derr të egër.

(M. J. F. L.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Rezervatet E Gjuetisë


[cite]