ANGLO-PERSIAN OIL COMPANY LIMITED


ANGLO-PERSIAN OIL COMPANY LIMITED
✤ (Shoqëria aksionare anglo-persiane e naftës). Shoqëri kapitaliste angleze. Në mars 1921 përfundoi me qeverinë shqiptare të Iljaz Vrionit një marrëveshje që i jepte koncesionin e naftës në kushte monopoli. Marrëveshja nuk u miratua nga parlamenti shqiptar për arsye të kundërshtimit të qarqeve demokratike të kohës, dhe si pasojë e kontradiktave ndërimperialiste për naftën shqiptare. Luajti rol në rrëzimin e Qeverisë së Fan Nolit, duke financuar organizimin e bandave zogiste në territorin jugosllav. Pas ardhjes së regjimit të A. Zogut në fuqi, shoqëria e siguroi koncesionin në shkurt 1925. Më 1925-1930 ajo zhvilloi veprimtari të dendur për kërkimiri e naftës. Më vonë i pakësoi punimet dhe më 1935 hoqi dorë sepse qeveria angleze e kishte njohur Shqipërinë si sferë të zotërimit ekonomik e politik italian dhe nën presionin e Italisë po i lëshonte edhe ato pak pozita që kishte siguruar në vend.

(I. F.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Anglo-Persian Oil Company Limited


[cite]