ANIJET
✤ Mjete të mëdha me aftësi për të qëndruar mbi ujë dhe për të lundruar, që shërbejnë për mbartjen e udhëtarëve, të mallrave, për peshkim, për qëllime ushtarake etj. Sot A. janë përgjithësisht metalike dhe vihen në lëvizje me fuqi motorike.
Në Shqipëri janë ndërtuar e përdorur A. që në kohët më të lashta. Në shek. VIII-VII p.e.r., disa fise bregdetare ilire ndërtonin anije të lehta druri. Në shek. IV-II p.e.r. u bënë të njohur mjeshtërit e ndërtimit të A. nga fisi ilir i libumëve (shih). Ata ndërtuan një nga A. më të përsosura të kohës, që njihet me emrin libuma: Ajo punohej me dy radhë lopatash, ishte e lehtë, e shpejtë, dhe e manovrueshme, shumë e përshtatshme për qëllime luftarake, si dhe për transport e peshkim. Në shek I p.e.r. liburna u mor nga romakët si model për ndërtimin e A. të tyre 300-tonëshe, më vonë u kopjua nga grekët, e popuj të tjerë të Mesdheut.
Edhe në mesjetën e hershme, në mjaft qytete bregdetare si në Durrës, Ulqin, Tivar, Shkodër, Vlorë e në grykat e lumenjve kishte kantiere në të eilat ndërtoheshin A. të kohës. Ndërtimi i A. u zhvillua në shek. XIV sidomos në kohën e principatave arbre, që me flotën e ndërtuar në vend përballonin konkurrencën e flotës raguziane e venedikase. Gjatë pushtimit osman u pakësua ndërtimi i A. në vend. Vetëm në Ulqin e më pak në Shkodër, u ruajt mjeshtëria e lashtë e ndërtimit të A. prej druri e me vela, deri nga mesi i shek. XIX. Para Çlirimit, kryesisht në Shkodër e rnë pak në Durrës, ndërtoheshin vetëm barka të vogla druri për peshkim në bregdet. Pas Çlirimit, me ngritjen e Kantierit Detar (shih) në Durrës, filloi projektimi e ndërtimi i A. të llojeve të ndryshme në vend. Më 1947 u prodhuan sandallat e para prej druri për peshkim në bregdet, ndërsa më 1949 barkat e para prej druri e me motor, me aftësi bartëse 300 tonë. Më 1969 filloi ndërtimi i A. metalike për peshkim, që sot prodhohen në seri në disa tipa. Më 1977-1978 u ndërtuan edhe A. të veçanta për studime e kërkime në shelfin detar dhe më 1979 anije për transport udhëtarësh, si dhe A. 500-toriëshe për transport mallrash. Më 1982 u ndërtua edhe A. e parë për transport mallrash në dete e oqeane, me aftësi bartëse 2700 tonë. Janë ndërtuar edhe A. për qëllime të posaçme si motoskafë, A. shtyllarrahëse, .maune, rimorkiatorë etj. Veç projektimit dhe ndërtimit të A. të reja në vend bëhet edhe riparimi i tërë llojeve të A., edhe me tonazh e aftësi bartëse të madhe. Sot janë krijuar kushte për projektimin dhe ndërtimin e anijeve moderne, me aftësi bartëse e transportuese edhe më të mëdha. Shih edhe: Detaria, Transporti detar.
(L. Sh.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Anijet