SADEFOAR MEHMETI


SADEFOAR MEHMETI
✤ (Biçakçiu, 1565-1625). Arkitekt i shquar me prejardhje shqiptare. Lindi në Elbasan. Kreu studimet për arkitekturë në Universitetin e Stambollit. Zhvilloi atje një aktivitet të gjerë në disa fusha të krijimtarisë, u bë kryearkitekt i perandorisë. U shqua edhe si urbanist, si hidroteknik, si poet e si muzikant, duke lënë një numër të konsiderueshëm veprash. S.M.B., nxënës dhe vazhdues i veprës së Sinanit, përmbyll epokën klasike të artit osman me një nga kryeveprat botërore të arkitekturës monumentale, xhaminë Blu (1609-1617) në Stamboll. Mjeshtri e modeloi atë me motivin e një’ kubeje të madhe në qendër, të rrethuar nga katër gjysmëkupola të vogla. Peshën e madhe të kubeve ia besoi një sistemi të ri konstruktiv prej koloaash gjigande që i veshi me ornamentikë të pasur për të zbutur paraqitjen e tyre të rëndë. Për qytetin e tij të lindjes, Elbasanin, mjeshtri i madh projektoi dhe ndërtoi disa çezma dhe një xhami të vogël sot të zhdukur.

(S.Da.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Sadefoar Mehmeti


[cite]