ANZHUINËT NË SHQIPËRI
✤ Dinasti feudale franceze, që përfshiu në një periudhë 80-vjeçare (1269-1350) nën sovranitetin e saj një pjesë të tokave shqiptare. Karli I Anzhu më 1266, pasi vuri nën sundimin e vet gjithë Italinë J, zhvilloi prej këndej një politikë aktive ekspansioni në Mesdhe, në të cilën tokat shqiptare luanin rol si kryeurë për të depërtuar në Perandorinë Bizantine. Karli I shtiu në dorë më 1269 Vlorën, Kaninën e rrethet si dhe Ishullin e Korfuzit, por qe i detyruar të zhvillonte traktativa të gjata me sundimtarët feudalë arbëreshë dhe me përfaqësuesit e bashkësisë qytetare të Durrësit, gjersa mundi të siguronte edhe në krahina të tjera shqiptare njohjen e sundimit të vet si kryezot. Për këtë ai nënshkroi me ta pakte, ku u siguronte «prelatëve, kontëve, baronëve, pronjarëve, qytetarëve dhe bashkësive të Arbërisë» gjithë privilegjet e të drejtat e tyre. Zotërimet e Arbërisë u përfshinë në një unitet politik shtetëror të veçantë, të dalluar me emrin etnik «Mbretëri e Arbënsë», mbret i së cilës u shpall K.A. më 1272/Kufijtë e saj shkonin që nga bregdeti deri ne l.Drin në L e V dhe në Butrint në J, duke pasur si kryeqendër Durrësin. Me gjithë shpërndarjen e feudeve të praktikuar gjerësisht në favor të krerëve vendës, pozita e anzhuinëve në trevat shqiptare nuk mundi të stabilizohej. Prepotenca e arbitraritetet e funksionarëve të shumtë civilë, ushtarakë e klerikë frëngj dhanë shkas që feudalët vendës të përpiqeshin për shkëputje nga anzhuinët, ndërsa në qytete si Durrësi shpërthyen revolta, çka u dha bizantinëve mundësinë të rifitonin deri diku pozitat e humbura në Shqipëri. Më 1286, pas vdekjes së Karlit dhe ndërlikimeve ndërkombëtare, anzhuinët qenë detyruar të’ tërhiqeshin për disa kohë nga Shqipëria.
Të ndodhur midis forcave të Perandorisë Bizantine dhe nga ana tjetër të presionit në rritje të shtetit serb drejt Shqipërisë së Mesme, sundimtarët shqiptarë u kthyen përsëri drejt kryezotit anzhuin. Më 1304 në marrëveshje me ta e me mbështetjen e tyre, u rivendos pushteti i anzhuinëve në mbretërinë e Arbërisë, ndonëse me një shtrirje më të kufizuar, që nga Semani deri në lumin Mat, duke pasur në krye pinjollin anzhuin Dukën Filip të Tarentit. Përvoja e së kaluarës i detyroi anzhuinët që t’i linin tani klasës feudale vendëse pozita të rëndësishme. Kjo mbështetje lejoi zgjatjen e sundimit anzhuin në tokat shqiptare edhe për një gjysmë shekulli, me një shtrirje territoriale që vinte duke u rrudhur gjithnjë e më tepër rreth Durrësit. Të interesuar për të pasur përballë kundërshtarëve bizantinë e serbë mbështetjen e kryezotit nga dinastia anzhuine, e cila kishte krijuar një pushtet që shtrihej nga Adriatiku J deri në Dalmaci e Kroaci, në mesin e viteve 30 të shek.XIV u përfunduan pakte midis sundimtarëve feudalë Muzakaj ë Topias dhe mbretit Robert të Napolit. Feudalët shqiptarë dolën të fuqizuar nga kjo periudhë treçerekshekullore. Pas tërheqjes përfundimtare të pushtetit bizantin dhe shembjes së perandorisë serbe, pas humbjes së Durrësit si pozitë e fundit e A. në Shqipëri, që kaloi në duart e Topiasve, ishin këta që morën pushtetin si sundimtarë të pavamr të vendit.
(K.Bo.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Anzhuinët Në Shqipëri