ARANITASI RAMIZ


ARANITASI RAMIZ
✤ (1923-1943). Veprimtar i shquar i Luftës ANÇ, një ndër komisarët e çetave të para partizane, Hero i Popullit. Lindi në Aranitas të Mallakastrës në një familje bujqish të varfër. Qysh në bankat e shkollës u shqua për veprimtari revoluciohare dhe u përjashtua nga shkolla bujqësore e Kavajës. U lidh me Grupin Komunist të Korçës duke qenë nxënes i shkollës teknike të atjeshme. Mori pjesë aktive në Demonstratën e 8 nëntorit 1941 në Korçë (shih), ku u arrestua nga fashistët i plagosur. Si luftëtar i vendosur, në krye të një njësiti gueril, vrau komandantin e kuesturës së Korçës (1942). Anëtar i PKSH më 1942. Organizator i çetave partizane në krahinën e Skraparit dhe komisar i çetës së dytë të Skraparit (1942); zhvilloi veprimtari të gjerë për ngritjen e këshillave NÇ, për krijimin e njësiteve vullnetare, për pajtimin e gjaqeve dhe në mënyrë të veçantë për demaskimin e Ballit Kombëtar dhe të krerëve kryesorë të tij. Mori pjesë në Konferencën I të vendit të PKSH si delegat i qarkut të Beratit. U vra pabesisht nga veglat e reaksionit në malin e Leshnjës, Skrapar, më 21.6.1943. Busti i R.A. është vendosur në qytetin e Çorovodës (F.La.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Aranitasi Ramiz


[cite]