SHQIPËRIA Ç’KA QENË, Ç’ËSHTË E Ç’DO TË BËHET
✤ (1899). Vepër madhore e mendimit politik të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, ku është formuluar strategjia e taktika e saj dhe është përpunuar në mënyrën më të plotë programi i Rilindjes. Është hartuar nga Sami Frashëri (shih), u botua në Bukuresht në gjuhën shqipe pa emrin e autorit. U përkthye turqisht, italisht, gjernianisht. , Vepra përbëhet nga tri kapituj. Në kreun e parë «Ç’ka qenë Shqipëria?» paraqitet e kaluara historike e popullit shqiptar, origjina e tij e lashtë peUazge dhe ilire, qytetërimi i vjetër dhe ai mesjetar shqiptar, qëndresa kundër pushtuesve të huaj e sidomos luftërat antiosmane nën udhëheqjen e Skënderbeut, në shek. XV. Në kreun e dytë &Ç’është Shqipëria» jepet pozita gieografike e viseve shqiptare dhe popullsia e tyre, gjendja e rëndë ekonomike, kulturore dhe politike e shqiptarëve nën sundimin osman, zgjimi kombëtar i popullit shqiptar, nevoja e lëvrimit të gjuhës shqipe dhe roli i saj në bashkimin kombëtar të shqiptarëve, rreziku që e kërcënonte Shqipërinë nga Perandoria Osmane dhe monarkitë shoviniste fqinje. Në kreun e tretë «Ç’do të bëhet Shqipëria?» shprehet besimi në çlirimin e Shqipërisë, përcaktohet rruga për realizimin e tij dhe përvijohet statuti i shtetit të ardhshëm kombëtar, Bashkimi i shqiptarëve, lufta e armatosur kundër sunduesve osmanë, shkëputja e Shqipërisë nga Perandoria Osmane, formimi i një shteti kombëtar në kufijtë e tij etnikë, si rrugë e vetme për shpëtimin e vendit dhe të kombit nga copëtimi dhe katastrofa drejt së cilës po e çonte Turqia përbëjnë idenë themelore të veprës. Për herë të parë përpunohen gjerësisht parimet themelore dhe struktura organizative e shtetit të ardhshëm shqiptar, projekti i kushtetutës së tij. Shqipëria si shtet më vete do të ishte republikë. Në krye të shtetit do të vihej pleqësia që do të kryente funksionet e kryetarit kolegjial. Pushteti ekzekutiv do të ndahej nga ai legjislativ. Këshilli i Përgjithshëm përbëhej nga anëtarë që do të zgjidheshin një për çdo 20 mijë banorë. Pushtetin ekzekutiv do ta ushtronte një këskill ministrash i përgjithshëm. Si organe të qeverisjes lokale parashikoheshin katundaritë, në krye të qeverisë do të vihej një guvernator ose një qeveritar i përgjithshëm, i cili do të emërohej nga sulltani për 5 vjet, pasi të merrej pëlqimi nga Pleqësia dhe Këshilli i Përgjithshëm. Projekti përshkohet nga një frymë demokratike. Në vepër jepet një program i gjerë i zhvillimit ekonomik dhe kulturor të shtetit shqiptar, parashikohet zhvillimi i industrisë kombëtare, mëkëmbja e bujqësisë, e financave dhe veçanërisht vendosja e një sistemi arsimor demokratik dhe të larmishëm, me hallka të ndryshme shkollore si shkolla fillore, qytetëse, gjimnaze, shkolla profesionale, universitet. akademi etj.
Vepra pati ndikim të madh në Lëvizjen Kombëtare shqiptare dhe mbeti një nga dokumentet kryesore programatike të saj. Idetë e Sami Frashërit mbi rrugët që duheshin ndjekur për çlirimin e Shqipërisë u vunë në themel të luftës së popullit shqiptar për pavarësinë dhe përparimin e gjithanshëm të vendit.
(K.Pr.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Shqipëria Ç’Ka Qenë, Ç’Është E Ç’Do Të Bëhet
[cite]