SITA
✤ (Shoqëria Industriale Tregtare Shqiptare). Një ndër shoqëritë e para aksionare, e krijuar më 1927 në Tiranë nga një grup kapitalistësh shqiptarë. Kapitali aksionar i saj erdhi duke u rritur. Në gjirin e kësaj shoqërie bënin pjesë edhe përfaqësues të regjimit zogist si Pandeli Evangjeli, Koço Kota e të tjerë. SITA zhvilloi veprimtari industriale e tregtare. Ajo mori në koncesion shfrytëzimin e kriporeve dhe ngriti rrjetin e saj në qendra të ndryshme të vendit për shitjen e kripës. Mori gjithashtu koncesionin e energjisë elektrike në qytetin e Tiranës, ngriti centralin elektrik dhe u mor me prodhimin e shpërndarjen e energjisë elektrike. Në vitin 1936-1937 SITA u orvat që të ngrinte një^bankë tregtare. Por kapitali italian ndërhyri në drejtime të ndryshme dhe e sabotoi këtë veprimtari. Shoqëria SITA u shtetëzua nga pushteti popullor në mars të vitit 1946.

(I. F.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Sita


[cite]