ARMËT
✤ Mjete që shërbejnë për t’u mbrojtur ose për të sulmuar. A. janë prodhuar e përdorur që nga lashtësia prej shqiptarëve në luftërat dhe kryengritjet për liri, pavarësi e drejtësi shoqërore. Ilirët përdorën harkun me shigjetë, heshtat, shpatën, hanxharin (A. sulmi), përkrenaren, parzmoren, mburojën, kallçitë (A. mbrojtjeje). Këto lloj armësh kanë qenë përdorur edhe në mesjetë, kur atyre iu shtuan edhe A. e zjarrit. Në shek. XIV banë qenë të përmendura për prodhimin e shpatave qytetet zejtare Tivari, Ulqini, Drishti dhe Vlora. Princët arbër bënë përpjekje për të pajisur ushtritë e tyre me A. zjarri (bombarda, bombardele dhe pushkë me fitil). Përdorim të gjerë gjetën A. e zjarrit në ushtrinë e Skënderbeut, veçanërisht në mbrojtjen e kalave. Një nga qendrat e prodhimit të A. të bardha dhe e barutit ishte krahina e Matit, ndërsa për A. e zjarrit Shufadaja.
Tradita e prodhimit të A. nuk u ndërpre pas pushtimit osman. Shtytje zejtarisë së A. i dha rritja e qyteteve tregtare-zejtare në shekuj XVII-XIX, por sidomos nevojat e mëdha për A. të kryengritjeve antiosmane dhe të pashallëkeve të Bushatllinjve dhe Ali pashë Tepelenës (shih), të cilët krijuan punishte për prodhimin e tyre. Qendra të prodhimit të armëve kanë qenë Prizreni, Shkodra, Elbasani, Berati, Dibra, Gjakova, Peja, Delvina, Grabova, Gjirokastra etj. Në Tetovë më 1783 prodhoheshin 224 pushkë në ditë. A. shqiptare në shek. XVII-XIX ishin pushka, pistoleta (kobure), jatagani, kama (shishi), thika etj. Ato shpesh kishin zbukurime artistike. Njibej sidomos pushka e gjatë shqiptare, kalibër 17-19 mm, me disa emërtime «Karajfilja shqiptare», «dyfeku shqiptar me çark e gur stralli» (në Perandorinë Osmane), «Arnautka» etj. Që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878-1881) deri më 1910-1912, armëtarët shqiptarë prodhuan pushkën e sistemit «Martini-Henri» mod. 1871, kal. 11.43 mm, shkurt martina, e pagëzuar «Huta e popullit», Pas Luftës I Botërore për shkak të konkurencës së prodhimit të huaj, mjeshtëria e armëtarëve pati rënie. Pas Çlirimit me zhvillimin industrial të vendit u balua në prodhimin modern të A. Në disa nga muzetë kryesore të RPSSH ruhen koleksione armësh kryesisht të shek.XVIII-XIX dhe është ngritur posaçërisht Muzeu Kombëtar i armëve në Gjirokastër (shih).
(R.D.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Armët