TEMPUJT
✤ Ndërtesa për kryerjen e riteve fetare në antikitet. Mjedisi kryesor i T. ishte naosi, kthina e shenjtë. Në T. e tipit peripter, naosi qarkohet prej një portiku të mbuluar me kolona në të katër anët. (T. e Artemisit dhe i Shtyllasit në Apoloni). T. e tipit amfiprostil kanë kolona vetëm në ballet e dy anëve të ngushta (Amantie). Në T. me ante kolonat ndodhen vetëm në ballin kryesor, midis zgjatjeve të mureve anësore të naosit (Butrint, Dodonë etj). Prej tyre më i vjetër është T. i Artemisit i shek. VI p.e.r.; më i madh T. në Shtyllas (27×44 m). Sipas mënyrës së trajtimit të kolonave ndahen në T. të orderit dorik (Apoloni, Amantie) dhe jonik (Butrint, Dodonë etj). Gjatë pushtimit romak u ripërdorën T. e trashëguar (Butrint) dhe u ngritën T. të rinj, kryesisht sipas orderit korintik ose kompozite (Apoloni).

(A. B.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Tempujt


[cite]