ARMATA E LINDJES


ARMATA E LINDJES
✤ Pjesë e ushtrive imperialiste të Antantës (shih), që u vendos në frontin e Ballkanit gjatë Luftës I Botërore përballë forcave të tjera pushtuese të Bllokut qendror. U krijua në fund të v.1915 me një kontingjent të vogël, më pas arriti deri 500-600 mijë ushtarë, Përbëhej nga trupa franceze, angleze, ruse, italiane, serbe e greke. Komandën e mbajtën vazhdimisht gjeneralët francezë.

Forcat franceze të A. së L. në tetor 1916 kaluan kufirin greko-shqiptar dhe pushtuan krahinën e Korçës. U detyruan të hynin në bisedime me udhëheqësit e lëvizjes kombëtare, me të cilët nënshkruan më 10.12.1916 protokollin, në bazë ta të cilit u krijua Krahina Autonome e Korçës (shih). Në shtator 1917 këto forca u shtrinë edhe në krahinën e Pogradecit dhe një vit më pas pushtuan pjesërisht krahinat e Skraparit, të Gramshit e të Librazhdit. Në mbarim të Luftës I Botërore, në nëntor 1918 me urdhër të qeverive përkatëse, forcat e A. së L. formuan garnizonin ndëraleat në qytetin e Shkodrës, me komandant gjeneralin francez B. de Furtu (Bardu de Fourtou). Garnizoni u detyrua ta linte Shkodrën në mars 1920, ndërsa trupat franceze u larguan nga Korça në maj të po atij viti.

(M.Ç.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Armata E Lindjes


[cite]