USKANA
✤ Qyteti më i madh në trojet e fisit ilir të penestëve (shih). Nuk është përcaktuar vendi i tij, por duhet kërkuar në krahinën nga Dibra në Kërçovë. Përmendet për herë të parë në luftën III romako-maqedonase, nga historianët Polibi e Livi si qytet i fortifikuar me 10 mijë banorë. Luajti rol të rëndësishëm në luftën kundër Perseut si qendër kufitare me Maqedoninë. Më 170 p.e.r. dështoi përpjekja e garnizonit romak nën drejtimin e Ap Klaudit për ta pushtuar. Mbreti maqedon Perseu e rrethoi dhe e pushtoi më 170-169 p.e.r. Përpjekja e legatit romak L. Celi për ta rimarrë kryeqendrën peneste dështoi. Pas vitit 168 emri i qytetit nuk përmendet (Zh.A.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Uskana


[cite]