UJANALLËM
✤ (Të zgjohemi! 1889). Thirrje me përmbajtje patriotike, një nga dokumentet më të rëndësishme programatike të Lëvizjes Kombëtare. U botua turqisht nga Dervish Hima (shih) në Bukuresht në prill, në formë broshure në emër të një Komiteti Shqiptar. Në këtë dokument u bëhej thirrje gjithë shqiptarëve të vilajetit të Shkodrës, të Kosovës, të Manastirit dhe të Janinës, të bashkoheshin dhe të luftonin nën udhëheqjen e Lidhjes Shqiptare të Pejës (shih) kundër qeverisë osmane dhe qarqeve shoviniste fqinje për çlirimin dhe mbrojtjen e atdheut, përcaktoheshin kërkesat që Lidhja duhej t’u paraqiste qeverisë osmane dhe shteteve evropiane: vendosja në Shqipëri e një regjimi kushtetues demokratik, emërimi i nëpunësve shqiptarë, myslimanë e të krishterë, sigurimi me ligj i barazisë për të gjithë qytetarët, çelja e shkollave shqipe në çdo qytet e fshat, vendosja e shërbimit ushtarak që do të kryhej vetëm në Shqipëri, shpallja e amnistisë për të gjithë shqiptarët patriotë të burgosur apo të internuar etj. Përmbushja e këtyre kërkesave do të çonte në formimin e një shteti autonom e kombëtar shqiptar.
(K.Pr.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Ujanallëm
[cite]