ARTILERIA
✤ Arma kryesore e zjarrit e Forcave tokësore të Ushtrisë Popullore të RPS të Shqipërisë, që përbëhet nga topat, obusët, mortajat, topat pa zbrapsje e armët reaktive dhe është e organizuar në njësi, reparte e nënreparte. A. është përdorur për herë të parë në Shqipëri në shek. XIV-XV’ nga principatat feudale të Topiasve, Balshajve, Muzakajve, Aranitasve në luftrat ndërmjet tyre dhe me armiqtë e jashtëm. Në kohën e Skënderbeut A. u përdor në shkallë të gjerë në rrethimin e parë të Krujës. Brenda kështjellës ai kishte vendosur 30 bombarda, ndërsa në luftën e Beratit përdori edhe topa të mëdhenj. Shumë artileri u përdor edhe në rrethimin e Shkodrës më 1479. Më vonë A. u përdor në pashallëkun e Shkodrës e të Janinës. Ali Pashë Tepelena e përdori A. gjerësisht, e krijoi si armë të fuqishme me vete dhe me taktikën e saj, e pajisi atë me teknikën më të re të kohës dhe me të gjithë kalibrat, përfshirë kalibrin 24 cm, e përdori edhe për pushtimin e kështjellave, si asaj të Beratit e të Gjirokastrës. Ai hapi edhe shkollën e parë për përgatitjen e kuadrove të A. Në kështjellat e tij kishte mbi 500 gryka zjarri (përfshirë këtu edhe 70 mortaja). Pas Pavarësisë ushtria shqiptare u pajis me disa bateri artilerie.
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Artileria
[cite]