BATALIONET PARTIZANE
✤ Formacioni më i madh partizan në fazën e parë të Luftës ANÇ dhe shkalla e parë për të kaiuar në njësi më të mëdha. U krijuan në bazë të vendimeve të Konferencës I të Vendit të PKSH dhe të direktivës së KQ të PKSH, të prillit 1943, për organizimin e Ushtrisë NÇ. B.P. u ngritën me 2 deri 4 çeta partizane dhe me efektiv nga 100 deri 250 partizanë. Me organizimin e B.P. u morën komitetet qarkore të PKSH, kurse pas krijimit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë NÇ, shtabet ushtarake të qarqeve (shih). B.P. zgjidhnin detyra më të rëndësishme taktike se çetat partizane, kishin fuqi më të madhe goditëse, krijonin mundësi për asgjësimin e garnizoneve më të mëdha të armikut, të kolonave të tij etj. Veprimtaria luftarake e B.P. u shtri në zona më të gjera, dhe pati si rrjedhojë zmadhimin e zonave të lira, forcimin e bazave partizane e në përgjithësi i zgjeroi përmasat e Luftës ANÇ.
Formimi i B.P. shtroi detyra të reja për taktikën e luftës partizane në drejtimin e luftimit, organizimin dhe mbajtjen e bashkëveprimit, ma~ novrën e forcave partizane etj. Në B.P. u rrit më tej roli udhëheqës i celulave dhe i byrosë së Partisë, e cila drejtonte veprimtarinë e tyre. Komanda e B.P. përbëhej nga komandanti dhe komisari, që bashkë me zëvendësit formonin shtabin e B.P. Ky shtab varej nga shtabi ushtarak i zonës ose i qarkut. Parimi bazë i plotësimit me partizanë mbeti vullnetarizmi.
Në periudhën prill-maj 1943 u krijuan 8 B.P., deri në fund të korrikut 1943 ato u bënë 19 dhe u shtrinë në krahina të ndryshme të vendit. B.P. e treguan efektivitetin e tyre luftarak në luftën e Përmetit (korrik 1943), në thyerjen e operacionit armik të Pezës dhe atë të zonës Shpirag-Mallakastër-Tepelenë në qershor dhe korrik 1943, në Dibër në korrik e gusht 1943 etj. Ato zhvilluan edhe veprimtari të gjerë politike me popullin dhe për ngritjen e forcimin e pushtetit të këshillave NÇ. Me zgjerimin e Luftës ANÇ dhe krijimin e Shidbit të Përgjithshëm të UNÇSH (shih), u poqën kushtet për të kaluar në krijimin e brigadave dhe më vonë të divizioneve e korparmatave partizane. B.P. të inkuadruara në brigada sulmuese përsosën strukturën organizative dhe ndërtoheshin me 4-5 kompani partizane.
Komandantë e komisarë të batalioneve partizane u bënë komandantët e komisarët e çetave të para si Myslym Peza, Haxhi Lleshi, Teki Kolaneci, Reshit Çollaku, Bexhet Mema, Mustafa Xhani, Themo Vasi, Agush Gjergjevica, Zylyftar Veleshnja etj. si edhe kuadro patriotë e komunistë që ishin dalluar në luftë për aftësi komanduese, guxim e trimëri si Shefqet Peçi, Adil Çarçani, Myslym Shyri, Kajo Karafili, Skënder Çaçi, Riza Veipi, Riza Kodheli, Ajet Xhindole, Rexhë Deliu, Zyko Kalivaçi, Mustafa Kaçaçi, Petrit Hakani, Lipe Bogaj, Zihni Sako, Hilmi Selenica, Foni Thano, Niazi Meka, Skënder Libohova, Mane Nishova, Fazlli Jaho, Rexhep Haka, Adem Krasniqi, Baba Fejzo, Jaho Gjoliku, Resul Veliu, Kastriot Muço, Veis Pipa, Luan Qafëzezi, Ethem Barhami etj.
(M.Il.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Batalionet Partizane