BOP FRANC
✤ (Franz Bopp, 1791-1867). Gjuhëtar i shquar gjerman, themeluesi kryesor i gjuhësisë krahasuese historike indoevropiane. Qe profesor në Universitetin e Berlinit. Studioi në rrafshin e gjuhësisë krahasuese indoevropiane edhe gjuhën shqipe. Që më 1843 në një kumtim në Akademinë e Berlinit analizoi numërorët dhe përemrat e gjuhës shqipe dhe tregoi karakterin indoevropian të tyre. Më 1855 botoi studimin «Mbi gjuhën shqipe në lidhjet e farefisnisë gjuhësore të saj» ku u bëri një analizë historike pak a shumë tërësore strukturës gramatikore dhe disa elementeve të ieksikut të gjuhës shqipe. Në të zbuloi një varg elementesh të përbashkëta të shqipes me gjuhët e tjera indoevropiane dhe vërtetoi në mënyrë përfundimtare se ajo bën pjesë në familjen gjuhësore indoevropiane, ku zë një vend të veçantë si gjuhë më vete. Vepra e F. B. qe një gur themeli në studimin e historisë së gjuhës shqipe.
(M. D.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Bop Franc
[cite]