BUZUKU GJON
✤ (shek. XVI). Autori i parë i njohur gjer tani i letërsisë shqiptare, shqipëruesi i një libri kishtar, që është quajtur «Meshar», (1555) më e vjetra vepër shqipe e botuar që ka arritur. Ishte prift katolik, famullitar i një kishe në Shqipërinë Verore, jo aq larg nga vendi i banimit, ndofta në trevën e Ulqinit e të Tivarit.
Kopja e librit që ka arritur është e cunguar, i mungojnë 16 faqet e para, ndër to edhe fleta e ballit. Përmban lëndë të ndryshme kishtare dhe pjesët kryesore të liturgjisë katolike. Kjo përmbajtje flet për përdorim të gjuhës shqipe në shërbesat fetare, lidhur siç duket me përpjekjet për përdorimin krahas latinishtes edhe të gjuhëve amtare, përpjekje të përftuara nën shtysën e Reformës.
Meshari është botuar me alfabetin latin të tipit gjysmëgotik, i zakonshëm në atë kohë në Italinë Veriore. Kryesisht për tingujt e shqipes që nuk i ka latinishtja (g, gj, th, dh, z, x, i) ka edhe pesë shkronja të posaçme, që kanë përngjasim me disa shkronja të alfabetit cirilik. Autori shihet se ndjek një traditë mjaftësisht të konsoliduar të shkrimit të shqipes, të cilën do ta vijojnë edhe autorët pasardhës të Shqipërisë Veriore. Qenia e një tradite letrare të mëparshme shfaqet edhe në gjuhën relativisht të përpunuar të veprës. Në pasthënie shprehen shkoqur ndjenat atdhedashëse që e kanë frymëzuar, dëshira e tij për të ndritur mendjen e bashkatdhetarëve. Në veprën e Buzukut gjejmë ndonjëherë edhe pjesë të një proze tregimtare me vlera letrare, të shkruara me gjuhë të qartë dhe të kuptueshme. Bie në sy puna e tij, ose e traditës së mëparshme, për pasurimin e shqime fjalë të reja, në mes të cilave ka mjaft fjalë të sferave të jetës mendore. Si vepër e parë shqipe e njohur, «Meshari» ka rëndësi zë madhe për historinë e kulturës, në mënyrë të veçantë për historinë e shqipes së shkruar dhe të letërsisë shqiptare. Është dëshmi e shqipes në shek. XVI, në një fazë kur nuk ishin zhvilluar ende një pjesë e dallimeve dialektore të mëvonshme. Me gjuhën në një masë të mirë të standardizuar e të kodifikuar, si koine letrare që u ngjiz e u zhvillua me veprat e autorëve të veriut në shekujt XVI-XVIII, vepra e Gjon Buzukut hapi një etapë të re në lëvrimin e shqipes si gjuhë e shkruar kulture. Një botim shkencor të «Mesharit» me faksimile e transkribim, të pajisur me një studim hyrës të gjerë dhe me shënime tekstologike. ka bërë më 1968 prof. E. Çabej. (M. D.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Buzuku Gjon
● Meshari i Gjon Buzukut – Orgjinali në pdf