DELVINA SULEJMAN


DELVINA SULEJMAN
✤ (1884-1932). Atdhetar, burrë shteti dhe diplomat. Lindi dhe u rrit në një familje e mjedis patriotik në Delvinë. XJ përfshi në lëvizjen kombëtare qysh në bankat e gjimnazit të Zosimesë në Janinë dhe e vazhdoi veprimtarinë patriotike në Stamboll. Ishte ndër figurat qendrore të klubit shqiptar të Stambollit. Bashkë me patriotë të tjerë iu kundërvu politikës xhonturke dhe synimeve shoviniste ndaj Shqipërisë të monarkive fqinje. Në korrik 1911 udhëhoqi manifestimin e studentëve shqiptarë në Stamboll për të mbështetur alfabetin dhe kërkesat shqiptare. Ishte një nga nënshkruesit e thirrjes së 18 nëntorit 1912 dorëzuar përfaqësive të Fuqive të Mëdha në Stamboll ku kërkohej të njiheshin të drejtat kombëtare të popullit tonë.

Në prill 1919 kolonia shqiptare në Turqi, e dërgoi atë në Konferencën e Paqes në Paris për të mbrojtur në emër të saj interesat e Shqipërisë dhe për të zgjidhur mosmarrëveshjet politike të lindura në gjirin e përfaqësuesve shqiptarë të atjeshëm. Kongresi Kombëtar i Lushnjës (shih) e zgjodhi S. D. kryetar të qeverisë shqiptare. Si kryeministër ai qëndroi në pozita patriotike e antiimperialiste dhe luftoi për të vanë në jetë vendimet e Kongresit të Lushnjes.

Mbështeti luftën kundër bandave esatiste më 1920 dhe ndihmoi në përfundimin me sukses të luftës së Vlorës kundër pushtuesve imperialistë italianë e në nënshkrimin e protokollit italo-shqiptar të 2.8.1920. Mori pjesë në Revolucionin e Qershorit 1924 dhe në qeverinë e kryesuar nga Fan Noli u caktua ministër i Punëve të Jashtme. Pas dështimit të këtij revolucioni u largua nga Shqipëria dhe u end në Evropë për disa vjet si emigrant politik. Më vonë i sëmurë u kthye në Shqipëri dhe vdiq në Vlorë.

(B. K.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Delvina Sulejman


[cite]