DEMETËR FARI


DEMETËR FARI
✤ Komandant ushtarak dhe regjent i mbretërisë ilire më 228-217 p.e.r. Zbatoi një politikë të paqëndrueshme si brenda vendit, ashtu edhe ndaj fuqive të mëdha rivale të kohës, Romës dhe Maqedonisë. Figurë kontradiktore e njeri ambicioz, luajti rol negativ me pasoja të dëmshme për shtetin ilir gjatë Luftës I iliro-romake. Bëri marrëveshje me romakët të cilëve u dorëzoi Korkyrën (Korfuzi i sotëm) dhe me përkrahjen e tyre u bë pas vitit 228 p.e.r, regjent i mbretërisë ilire, të cilën e sundoi në emër të Pinit, birit të Agronit. I pakënaqur me pushtetin e kufizuar që i lejoi Senati, shpejt u kthye me fytyrë nga Maqedonia, duke shfrytëzuar për këtë gjendjen e vështirë që ishte krijuar për Romën në vitet 20 nga lufta me prijësin kartagjenas, Hanibalin. Në fund të viteve 20 u prish edhe me Skerdilaidin, që nuk e ndoqi më pas në kursin e tij promaqedon. D. F. nuk mundi t’u qëndronte ushtrive romake, që në pranverë të 219 p.e.r. zbritën për herë të dytë në brigjet e Ilirisë. U largua fshehurazi me një anije të vogël te Filipi V i Maqedonisë, ku qëndroi deri në fund të jetës si këshilltar i tij.

(F. D.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Demetër Fari


[cite]