DETI JON


DETI JON
✤ Det ndërmjet pjesës J të Gadishullit Ballkanik dhe Gadishullit të Apenineve. Në V bashkohet me detin Adriatik me anë të kanalit të Otrantos, ndërsa në perëndim me detin Tirren me anë të ngushticës së Mesinës. Në D.J. ndodhen ishujt jonianë: Korfuzi, Lefkasi, Qefalonia, Itaka, Zakintosi dhe ishuj të tjerë më të vegjël. Ka thellësinë më të madhe 5121 m në pjesën J të tij në P të Kepit Matapan të Peloponezit. Kjo është edhe thellësia më e madhe e detit Mesdhe. Temp e ujit në det të hapur lëkundet nga 14° në shkurt deri 25° në gusht. Ujërat kanë tejdukshmëri të madhe, ngjyrë të kaltër të mbyllur dhe kripësi deri 39 për mijë.

Bregdeti shqiptar i D. J., shtrihet prej kepit të Stilos në J deri në kepin e Gjuhës në V. me një gjatësi prej rreth 170 km dhe me përjashtime të pakta është bregdet tipik gërryerjeje. Në përgjithësi është shkëmbor dhe ndërpritet nga një sërë përrenjsh, të cilët kanë krijuar plazhe të vogla mjaft piktoreske, si ai i Borshit, Himarës, Vunoit, Dhërmiut etj . Vija bregdetare është e thyer dhe formon kepe, gryka e gjire si p.sh. kepi i Stilos, kepi i Shkallës në Ksamil, gjiri i Butrintit, gjiri i Sarandës, i Portopalermos, i Spilesë etj. Thellësia e bregdetit është e madhe dhe rritet duke shkuar drejt kepit të Gjuhëzës. Mbizotërojnë erërat me drejtim JP dhe VP. Valët më të mëdha kanë lartësi 3-3.5 m. Gjania mesatare e baticë-zbaticës është rreth 30 cm. Portet kryesore të bregdetit shqiptar të Jonit janë Saranda dhe Himara. Në ujërat e D. J. jetojnë peshq të ndryshëm si qefulli, levreku,

koea, dentali, skumbria etj. si dhe butakë detarë si midhja që kultivohet në liqenin e Butrintit. Brigjet e tij formojnë një nga bregdetet më piktoreske të pellgut të Mesdheut, që njihet edhe me emrin Riviera Shqiptare. Pas Çlirimit në krahinën e Bregut të Detit janë ngritur shtëpi pushimi e hotele turistike. (A.Se.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Deti Jon


[cite]